Flakët po i afrohen Parkut Kombëtar të Llogarasë, probleme edhe në Mirditë e Kukës
Ministria e Mbrojtjes njofton se situata e zjarreve në vend vijon të paraqitet në disa zona si në jug të vendit ashtu edhe në veri. Efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës të emergjencave civile e shërbimeve vendore po punojnë për shuarjen e flakëve në zona të ndryshme.
Vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në fshatin Dukat i Ri, në Gadishullin e Karaburunit, e cila paraqitet me rrezikshmëri, pasi ka përhapje në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë.
Prej orëve të para të mëngjesit ka rinisur operacioni edhe nga ajri. Vatra tjetër kritike është ajo në Majën se Rrunës, mbi tunelin e Kalimashit, ku ka vijuar puna për mbajtjen nën kontroll, në mënyrë që flakët të mos kërcënojnë banesat.
Në fshatin Thirrë në Fan të Mirditës zjarri nuk paraqet rrezik për banesa, ndërsa po vijon puna për shuarjen e tij. Zjarri në fshatin Munellë-Domgjon është izoluar në njërin krah, por po vijon puna në krahun tjetër, ku ende ka prani flakësh.
Situatë e vështirë zjarri ka qenë dje, në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Mirditë. Në fshatin Bogë, njësia administrative Shkrel është aktivizuar një vatër zjarri mbrëmjen e djeshme. Nuk paraqet rrezik për banesat.
Një vatër zjarri është njoftuar në Parkun e Tomorrit në lartësinë mbi 1500 m, por situata po ndiqet nga forcat vendore. Në fshatin Corrush në Mallakastër janë izoluar dy vatra, por puna vijon për izolimin e flakëve në tre vatra të tjera aktive, të cilat janë në terren të vështirë.