A jemi ne për një Hixhret

“Ata të cilët besojnë, emigrojnë dhe luftojnë në rrugën e All-llahut, edhe ata që japin strehim dhe ndihmojnë, ata janë me siguri besimtarë të vërtetë – për ata ka falje dhe shpërblim fisnik.” (8:74)

 

Nga Afrim Tahiri

Hixhreti në botën myslimane shënon pikënisjen e ngritjes së islamit nga një “fiksion” në rregull, në Ligj të shenjtë, që do të shërbejë si bazë për ta arritur kënaqësinë e Krijuesit tonë.
Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s., do ta fillojë Hixhretin duke e braktisur vendlindjen e vet, Meken dhe duke u vendosur për gjatë vite në Medine. Ai dhe pasuesit e parë të tij, vetëm ata mund të ndjenin se si hapat e emigrimit shndërrohen në gurë gjignatë të themeleve të së mirës, të së drejtës, të së vërtetës. Kjo ndiesi nuk do të përjetohej pa vendosshmërinë vetëmohuese për të hequr dorë nga e keqja, nga shëmtia, nga e pavërteta, nga injoranca. Pra hixhreti u bë për ta gjetur një tokë pjellore ku do të mbillet fara e vlerave të njeriut dhe ku do të ndërtoheshin mekanizma për t’i mbrojtur ato vlera, si dhuratë më e çmuar e Zotit për krijesën e vet që vendosë të marrë udhën kah drita e shenjtë.
Hixhreti nënkupton vendosshmerinë dhe përkushtimin e njeriut të mbarë për të ngritur sistem që do të garantojë jetë të lumtur në këtë botë por edhe amshimin e botës së përjetshme; për të ngritur sistemin që mbahet fort për shtyllat e vlerave morale, të humanes, të dashurisë, respektit, përkushtimit, përulësisë para Ligjit Absolut!
Hixhreti shënon momentin e ngritjes së themeleve të shtetit islam, të vlerave të tërësishme të sistemit të denjë për shtetin islam, shënon fillet e ngritjes së shoqërisë që do ta meritojë rritën dhe vdekjen nën këtë sistem, që e meriton përkujdesin e këtij sistemi, jetën plotë dinjitet, integritet dhe respekt.
Njeriu i mire, i sinqertë e i devotshëm, deri në frymen e vet te fundit duhet të jetë në hixhret! Mënyra dhe forma e Hixhretit të Pejgamberit a.s. natyrisht që do të jetë përjetësisht e papërsëritshme, por vetë Pejgamberi a.s. na mëson që ta ndjekim urtinë e kësaj ngjarje historike për mbarë njerëzimin. Ai thotë “Muhaxhir është kushdo që braktis çdo gjë që e ka ndaluar Allahu dhe përqafon atë që Ai e ka urdhëruar.” Me këtë Pejgamberi i Zotit na e bëri të qartë se, nëse tash e tutje njeriu nuk do të jetë në sprovë për ta përsëritur Hixhretin, ai këtë veprim mundet dhe duhet ta kryej shpirtërisht. Njeriu mund të emigrojë nga një jetë e vet plotë me gjynahe, në një jetë të përsosur me vlera morale. Duke ikur nga haramet e perditshme drejt shijimit të të mirave plot me hallall, në fakt ai tashmë ka bërë një migrim shpirtëror, ka kryer atë udhëtim shpirtëror të Hixhretit që e ka porositur Pejgamberi ynë i dashur, Muhamedi s.a.v.s.
Pejgamberi a.s. pas vendosjes në Medine, kërkoi diç më tepër, diç që shkojnë përtej gjurmëve të trishta, plotë dhembje dhe lavdi, që ngelën rërës shkretinore gjatë hixhretit! Gjurmët e hapave në Hixhret, sado të thella nga pesha e dhembjes dhe trishtimit, ato fshihen me erën e parë shkretinore. Pejgamberi a.s. kërkonte që këto gjurmë hixhreti të ngelin përjetë në shpirt të njeriut, si virtyte që do ta lartësojnë atë dhe fenë a Allahut të Plotëfuqishëm.
A kemi nevojë ne, si myslimanë të kësaj shoqërie, për hixhret shpirtëror! Pa dyshim që po! Sepse kemi degraduar në vlera aspak të dinjitetshme për ne si shqiptarë e si myslimanë, pjesëtarë të BFI-së! Djalli i mallkuar na i ka pështyrë sytë dhe nuk po shohim se si po i shërbejmë kultivuesve të “vlerave” që asgjë nuk kanë të përbashkët me islamin. Po përkundemi e po përgjumemi në djepin e vetëmashtrimit, duke kaluar në ekstazë nga shijimi i “nektarit” të antivlerave të cilat po na faniten si të arritura në shkretëtirën përcëlluese të degradimit tonë si qenie kombëtare e fetare!
Na ka hije ne që të përgatisim evente glamuroze në shenjë përkujtimi të kësaj ngjarje madhështore? Po, hipokritëve u ka hije!
Hixhretin duhet ta përkujtojme si çast kur thellësisht duhet të reflektojmë: ku jemi, çka po bëjmë, si po veprojmë dhe çka duhet bërë! Shembullin e kemi, porositë i kemi, na duhet vetëm të jemi besimtarë të sinqertë!

(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)

 

Leave a Reply