Hetimi i veprimtarisë së CEZ, Rama: Kemi kërkuar asistencën e FBI

Kryeministri Edi Rama deklaroi në Parlament se, për hetimin e çështjes CEZ, shteti shqiptar i është drejtuar për asistencë FBI-së.

“Ne i kemi kërkuar FBI-së të shprehë disponueshmërinë për të asistuar hetimin. Dhe padyshim jemi shumë të lumtur nëse na bashkoheni, që ta nxisim Prokurorinë, që në këtë hetim të përfshijnë hetues ndërkombëtarë. Shpresojmë që edhe nga FBI-ja përgjigjja të jetë pozitive, kështu që brenda kuadrit legjislativ të Republikës së Shqipërisë do të kemi cilësinë më të lartë të hetimit të pavarur ndërkombëtar”, tha kryeministri Rama.

Vendimi i parë që duhet të hetohet, sipas Edi Ramës, është ai i ERE-s në dëm të KESH-it, për çmimin e energjisë elektrike. Sipas Ramës, kompania çeke u favorizua nga ndikimi i drejtpërdrejtë i kryeministrit të asaj kohe, Sali Berisha.

“Në qershor të 2012-s iu futën si turku hallvës KESH-it dhe i bënë gjëmën duke i shkaktuar një dëm prej 90 mln eurosh”, tha Rama.

Çështja CEZ ishte pjesë e një debati të gjatë, por dhe jo aq të natyrshëm.

Ish-kryeministri, vetëm një metër larg nga pasardhësi, deklaroi se kompania BDO e kontraktuar nga qeveria e asaj kohe për të bërë vlerësimin e dëmit që CEZ i kishte bërë Shqipërisë, në gjetjet e saj i dha siguri shtetit shqiptar se, çështja ndaj kompanisë çeke do të fitohej në Arbitrazh.

“Zotëri, ja çfarë thotë BDO-ja në raportin e vet ndërkombëtar. CEZ as nuk investoi në kompaninë e shpërndarjes; kishte një vit që përgatitej të largohej. Por ata që kishin marrë paratë dhe zotëria që rri në këmbë, i cili në kulisa me Stefan Fule dhe të tjerë ishte zotuar se do të shkelmonte çdo interes kombëtar dhe publik për kompaninë CEZ, ishte zotuar se do të votonte në marrëveshje nenin 19”, tha ndër të tjera deputeti demokrat, Sali Berisha.

Por nuk ishte aq e qetë kjo seancë, kur kryemistri Edi Rama është ndërprerë disa herë nga deputetët demokratë gjatë deklarimit të tij, ku disa herë theksoi se demokratët që kanë rihapur çështjen CEZ po ndiejnë shqetësimin nga deklarimet e kreut të DIA-s, Kastriot Ismailaj.

Leave a Reply