Kozmonauti rus Vladimir Komarov e dinte që nuk do të kthehej më i gjallë kur u nis në hapësirë me Sojuz 1, më 1967.
Edhe miku i tij Juri Gagarin, njeriu i parë që doli në orbitën e Tokës, e dinte që Komarov do të vdiste. Por Leonid Brezhnjev, udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, dëshironte të festonte 50-vjetorin e revolucionit komunist në mënyrë spektakolare.
Në këtë mënyrë, Komarov hipi në Sojuz 1 dhe, ashtu siç e priste, vdiq. Në foto është ajo çka ka mbetur nga trupi i tij.
Libri ‘Starman’ i shkruar nga Jamie Doran dhe Piers Bizony tregon historinë e Gagarinit e Komarovit dhe se si ata nuk arritën ta ndalonin misionin.
Gagarin dhe disa teknikë të vjetër që kishin inspektuar Sojuz 1 kishin gjetur 203 probleme strukturore, probleme serioze që e bënin modulin hapësinor të rrezikshëm për të dalë në hapësirë. Gagarin sugjeroi që misioni të shtyhej.
Ai shkroi një letë 10 faqe dhe ia dha mikut të tij të ngushtë në KGB, Veniamin Rusajev, por askush nuk guxoi ta çonte më lartë. Kushdo që e pa atë letër, përfshirë Rusajev, u ul në gradë, u pushua nga puna apo u dërgua në Siberi.
Komarov nuk mund ta refuzonte misionin, sepse në atë rast ai që do të shkonte në vend të tij ishte Gagarin, miku i tij. Kur Sojuz mbërriti në orbitë nisën problemet. Antenat nuk u hapën plotësisht dhe energjia u komprometua, navigimi u bë i vështirë.
Gjatë gjithë kohës, inteligjenca e SHBA dëgjonte. NSA kishte një qendër të saj në një bazë ajrore pranë Stambollit në Turqi. Ata arritën të regjistronin komunikimin e tij në radio, duke mallkuar me zemërim ata që e hipën në një anije hapësinore të prishur, teksa binte me shpejtësi të madhe në rënie të lirë në tokë ku trupi i tij u shkrumbua në çast nga përplasja.
Ndërkohë, edhe amerikanët kanë pasur viktimat e tyre në garën hapësinore të viteve ’60. Në janar të të njëjtit vit, 1967, Gus Grissom, Ed White dhe Roger Chaffee vdiqën si pasojë e një zjarri brenda një kapsule Apollo.
Dy vjet më pas, kur amerikanët zbritën në Hënë, Shtëpia e Bardhë kishte gati një fjalim të përgatitur nga shkruesi i fjalimeve të presidentit Nixon, William Safire, që njoftonte vdekjet e Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin në rast se ata do të vdisnin. Vdekja nuk ishte diçka që llogaritej në misione të tilla.