Hixhreti – themel drejt ngadhënjimeve

Nga h. Afrim Tahiri /

“Unë po shkoj aty, ku më urdhëroi Zoti im, e Ai më udhëzon!” (Es-Saffat, 99)

Të dashur besimtarë, motra e vëllezër!

Para 1442 viteve, ndodhi një nga ngjarjet sa tragjike aq edhe madhështore, sa e dhembshme aq më shumë ngjarje që do të shndërrohet në themel drejt ngadhënjimit!

Duhej të ndodhte kjo ngjarje, sepse Allahu Fuqiplotë kishte dhënë urdhër që të brumoset një ideal i ri, plotë shpresë, plotë dritë, plotë mbarësi e shpëtim për të gjithë ata që do ta përqafojnë. Ky projekt i shenjtë nuk do të mund të ngjizej në Meken e atëhershme, prandaj u dha urdhëri për Hixhret në Medinen e Ndritshme. Më i dashuri i Zotit, Muhamedi a.s. do të thoshte: “Meke, kurrë nuk do të largohesha prej teje nëse nuk do të detyrohesha”! Nuk iku se iu dhimbs jeta, as se u frikësua, por as se e ndjeu peshën e dëbimit apo të kërcënimit, nuk iku se u shantazhua apo se po vdiste për bukën e gojës! Pejgamberi ynë, bashkë me shokë, u detyrua në hixhret, sepse i duhej një vend më i qetë, ku do të hidheshin bazat e një besimi të ri, bazat e një rendi të ri shoqëror, bazat e një shteti, të një ushtrie, të një administrate të re, një vend ku do të tërhiqej qartë kufiri në mes të keqes dhe të mirës, në mes të shëmtuarës dhe të bukurës, në mes të haramit dhe hallallit! Ky ishte një mision i shenjtë, i cili detyrimisht që duhej të kryhej, dhe jo një sfilitje tradhëtuese për të shpëtuar jetën.

Myslimanit të devotshëm përjetë i duhet një çast për të migruar, qoftë edhe për një sekond, me qëllim për ta përkujtuar të mirën dhe të keqen, hallallin dhe haramin! Pas Hixhretit të Pejgamberit a.s. nuk ka më hixhret, sepse nuk ka më mison të natyrës siç e pati Muhamedi a.s. Porse hixhreti shpirtëror ngel detyrim i përjetshëm për çdo mysliman. Ikja prej një komuniteti të prishur, ikja prej një shoqërie të degjeneruar, ikja prej një “udhëheqësie” tradhëtare, ikja prej një “guzhine” ku zihen e vlojnë tradhëtitë, planet ogurzeze, projektet antishqiptare e antiislame, është “hixhret” i detyrueshëm, i obligueshëm edhe fetarisht edhe kombëtarisht, sepse misioni ynë i sotëm është që ta ruajmë pastërtinë e islamit të shenjtë si dhe traditat e mirëfillta kombëtare. Nuk është as islam dhe as traditë kombëtare të qëndruarit dhe solidarizimi me tradhëtarët, kriminelët, zhvatësit e pronës së përgjithshme, hajnat e vakëfit, të cilët, për momentin, duke e gëzuar përkrahjen dhe mbrojtjen institucionale të sistemit, mund të duken si joshës! Por, nuk duhet të harrojmë se, joshja pas këtyre të babziturve është katandisje fizike e shpirtërore dhe, me këtë, edhe njollosje e vlerave të islamit dhe të kombit, kurse ikja prej tyre, prej vendit ku veprojnë kriminelët e ndryshëm, madje edhe nën petkun islam, është një hixhret i cili ka për qëllim ruajtjen e bërthamës së pastër, e cila garanton vazhdimësinë e kultivimit të vlerave të mirëfillta shpirtërore, kombëtare e njerëzore.

Ikja nga harami dhe kthimi kah hallalli është hixhret; ikja prej grupeve të rrezikshme dhe kthimi kah xhematet e ndershëm është hixhret; ikja nga vendi dhe nga institucioni ku mund ta ndihmoshë haramin, vjedhjen e vakëfit, në një vend prej nga sulmohen pa pushuar këto dukuri antiislame, është hixhret. Ikja prej rrethit injorantësh dhe vrapimi pas njohurive që ta ndriçojnë mendjen është hixhret.

Motra e vëllezër, lutem me shpirt që në këtë kuptim përjetë të jemi në hixhret!

Ky vit i hixhrit, për myslimanët e vendit dhe të mbarë botës, qoftë një vit i mbarë dhe i fitoreve.

Përjetë e gëzofshin dhe e përkujtofshim me vepra të hajrit, me mësime e urtësi, këtë ngjarje e cila në historinë e përbotshme shënon një kthesë madhështore për mbarë njerëzimin.

(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI)

Leave a Reply