Hoxhallarët e partive

Përkushtimi është pasqyrim i nijetit, për më tepër, i shpirtit! Myslimani i devotshëm ka për obligim t’i përkushtohet Krijuesit të vetë, fesë së vërtetë, t’i bindë faktorët më të rëndësishëm të shtetit e të shoqërisë që të jenë në shërbim të fesë po aq sa edhe në shërbim të shtetit dhe kombit

Nga Mr. Eset Shaqiri

Fejs dhe religjionet përçmimin dhe mohimin më të trishtë e kanë pasur në kohën e komunizmit. Për ta devalvuar dhe paraqitur si të rrezikshëm fenë, në komunizëm thoshin “feja është opium”, ndaj dhe, çdo gjë e rrezikshme duhet të jetë nën kontrollin e shtetit! Feja e rrezikshme?! Në fakt, e rrezikshme bëhet në momentin kur shteti (pushteti) i futë duart në organizim të jetës fetare! Meqë “feja qenka opium”, ja se si përmbyset situata: edhe opiumi me gjasë u bë “fe”, ndaj sot, numri i fetarëve të devotshëm dhe i atyre që i zënë besë opiumit (narkotikëve) është po aty, gati i barabartë! Feja krijesat e Zotit i mbajnë shpirtërisht stabile, ndërsa opiumi (narkotikët) i degjenerojnë!
Këtu diku duhet të kërkohet ai mosbesim i besimtarëve që e shprehnin kundër pushteteve, madje ky mosbesim edhe më tej hetohet (partive politike, pushteteve, nuk i zënë besë më shumë se 30-40 për qind e qytetarëve, për shembull, në Maqedoninë e Veriut.
Dhe u bë shumë mirë që u tërhoq vija ndarëse në mes të fesë dhe pushtetit politik, të paktën te ne. Natyrisht, asnjëherë nuk mungoi bashkëpunimi ndërmjet institucioneve fetare dhe atyre politike! Ky bashkëpunim gjithmonë konsistonte në realizimin e kërkesave që i kishin institucionet fetare te pushteti (sidomos në sferën e denacionalizimit të pronave të bashkësive fetare), do me thënë, pushteti vihej në shërbim të komuniteteve si institucione.
Kështu ndodhi gati për tri dekada rresht! Të gjithë e dimë se si partitë e para politike shqiptare në RMV ishin në shërbim të BFI-së dhe kishin një respekt të veçantë. Ministrat, deputetët, institucionet politike ishin të gatshëm që të angazhohen në realizim të kërkesave racionale që vinin nga institucionet fetare. Në kohën e liderit të PPD-së, të ndjerit Abdurrahman Aliti, si dhe të PDP-së së Iljaz Halimit, nisën hapat e para drejt denacionalizimit të pronave të BFI-së, ndërsa u përfshinë maksimalisht në realizimin e një prej ëndërrave të BFI-së – në themelimin e Fakultetit të Shkencave Islame në RMV! Në kohën e PDSH-së së Arbën Xhaferit, sidomos në periudhën e shkurtë sa ishte në pushtet, u punua jashtëzakonisht shumë që të ruhet “islami auto
kton” si dhe të pastrohet BFI-ja nga elementet e dyshimtë të cilët në asgjë nuk përputheshin me interesat kombëtare.
Ky ishte nijeti synimi, përkushtimi i ish-strukturave të BFI-së si dhe i strukturave politike!
Por kur në BFI u instaluan struktura të tjera, u ndërrua edhe nijeti! Ai që një jetë i ka shërbyer pushtetit dhe jo komunitetit, natyrisht që te po i njëjti vazhdon i njëjti nijet: kudo që të jeshë t’i shërbeshë pushtetit, do me thënë, partive, institucioneve politike!
Dhe ja ku jemi – sot hoxhallarët po bëjnë gara se kush në cilën parti do të përfshihet, sidomos në ato parti që do të vijnë në pushtet, sepse shërbimi ndaj pushtetit do të bëhet më açik! Jo rastësisht sot kemi dukuritë e emërtuar “hoxha i Besës”, “hoxha i Alenacnës”, “hoxha i BDI”-së, “hoxhallarët e VLEN”-it, jo po të “Frontit”, madje edhe të “LSDM”-së e të “VMRO”-së!
Pra, po na shfaqet dukuria e ikjes së hoxhallarëve nga BFI-ja nëpër parti politike! Ka shpenzuar buxhetin e familjes që një ditë t’i shërbejë popullatës myslimane, ndërsa e tradhëton atë nijet duke u vënë në shërbim të partive politike, gjegjësisht, në shërbim të pushtetit politik.
Pra, u përbysën vlerat! Derisa dikur liderët politik ishin në shërbim të BFI-së, me këtë në shërbim të fesë, sot “liderët fetar” janë vënë në shërbim të partive me nijet që t’i shërbejnë pushtetit, tashmë në mënyrë transparente, nëse dikur i kanë shërbyer fshehurazi e me nofka të ndryshme! Kësaj radhe, tërë Institucioni i BFI-së u vë në shërbim të BDI-së dhe, tash, nuk po dihet se kujt ia ktheu shpinën populli shqiptar: BDI-së apo BFI-së! Kush do të dalë më e dëmtuar? Me gjasë BDI-ja e popullit, sepse BFI-ja e pushtetit politik, do të mundohet të gjejë kanale e kanalizime që sërisht të jetë në shërbim të pushtetit politik, të paktën me këtë garniturë të instaluar politikisht në krye të Institucionit!
Të heqësh dorë nga imamllëku e të vihesh në shërbim të pushtetit apo të strukturave që u shërbejnë pushtetit, është baraz me ikjen nga identiteti, baraz me tradhëti! Ai që tradhëton njëherë, tradhëton përjetë!
Në Luftën e Uhudit ndodhi tradhëtia e madhe e hipokritëve, ndërsa kjo tradhëti u ndihmoi shumë myslimanëve që të nisin me pastrimin e radhëve të veta! Do të ndodhë gjithmonë Uhudi kur do të ndodhë miqësimi e bashkëpunimi me hipokritë!

Leave a Reply