Burime nga grupi parlamentar kanë bërë të ditur se ka qenë deputeti Ferdinant Xhaferi ai që në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka kërkuar Bashës të largohet, ndërsa i ka kujtuar se ka fyer demokratët kur deklaroi se nuk ka humbur asnjë garë.
Në të njëjtën linjë ka qënë edhe deputeti Helidon Bushati, i cili ka propozuar mbajtjen e një kongresi pajtimi me të gjithë demokratët.
“Duhet të gjithë ne këtu dhe kolegët tanë të “Shtëpisë së Lirisë” të kalojmë përtej egove personale për të mirën e të gjithëve. Duhet kongres pajtimi me pjesëmarrjen e të dy rrymave ku për të mirën e përgjithshme, disa duhet të bëjne një hap prapa”, mësohet të jetë shprehur Bushati gjatë mbledhjes.
Akoma më i ashpër në qëndrimin e tij ka qenë Agron Gjekmarkaj, për të cilin ky rezultat tejkalon çdo parashikim ogurzi. Ai ka marrë përsipër përgjegjësinë e tij duke dhënë dorëheqjen nga çdo funksion, ndërsa ka propozuar krijimin e komisioni që ta çojë PD-në në zgjedhje.
Ndërsa Grida Duma, qëndrimin që mbajti jashtë për mediat e ripërsëriti edhe në mbledhjen me dyer të mbyllura duke i kujtuar Bashës se nga lufta e tij me Sali Berishën, humbi Partia Demokratike. Përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve ia kërkuan edhe deputetët, Dashnor Sula e Ilda Dhori.
Por pavarësisht këtyre qëndrimeve, Basha ka qenë i vendosur për të mos marrë përsipër asnjë përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve, teksa edhe një herë ka theksuar nevojën për të qëndruar bashkë.
“Dy rrugë ka. Ose rrimë bashkë e bëjmë riorganizim ose ja dorëzojmë Sali Berishës. Synimi Berishës është ta marrë PD-në për t’u mbrojtur nga non grata”, mësohet të jetë shprehur Basha gjatë mbledhjes.