Humbja në zgjedhje, grupi kërkon largimin e Bashës

Ndryshe nga kryedemokrati Lulzim Basha, figura të njohura të Partisë Demokratike e konsiderojnë humbjen në zgjedhjet e 6 Marsit tronditëse. Për nënkryetaren partisë, Grida Duma rezultati është zhgënjyes dhe për të duhet të mbajnë përgjegjësi të gjithë, përfshirë këtu edhe kryetarin e partisë.

Pakënaqësitë e shprehura jashtë për mediat vijuan edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të zhvilluar me dyer të mbyllura, ku deputetët demokratë i kanë kërkuar Bashës të marrë përsipër përgjegjësitë dhe të largohet, për t’i hapur rrugën një kongresi pajtimi.

Burime nga grupi parlamentar kanë bërë të ditur se ka qenë deputeti Ferdinant Xhaferi ai që në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka kërkuar Bashës të largohet, ndërsa i ka kujtuar se ka fyer demokratët kur deklaroi se nuk ka humbur asnjë garë.

Në të njëjtën linjë ka qënë edhe deputeti Helidon Bushati, i cili ka propozuar mbajtjen e një kongresi pajtimi me të gjithë demokratët.

“Duhet të gjithë ne këtu dhe kolegët tanë të “Shtëpisë së Lirisë” të kalojmë përtej egove personale për të mirën e të gjithëve. Duhet kongres pajtimi me pjesëmarrjen e të dy rrymave ku për të mirën e përgjithshme,  disa duhet të bëjne një hap prapa”, mësohet të jetë shprehur Bushati gjatë mbledhjes.

Akoma më i ashpër në qëndrimin e tij ka qenë Agron Gjekmarkaj, për të cilin ky rezultat tejkalon çdo parashikim ogurzi. Ai ka marrë përsipër përgjegjësinë e tij duke dhënë dorëheqjen nga çdo funksion, ndërsa ka propozuar krijimin e komisioni që ta çojë PD-në në zgjedhje.

Ndërsa Grida Duma, qëndrimin që mbajti jashtë për mediat e ripërsëriti edhe në mbledhjen me dyer të mbyllura duke i kujtuar Bashës se nga lufta e tij me Sali Berishën, humbi Partia Demokratike. Përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve ia kërkuan edhe deputetët, Dashnor Sula e Ilda Dhori.

Por pavarësisht këtyre qëndrimeve, Basha ka qenë i vendosur për të mos marrë përsipër asnjë përgjegjësi për rezultatin e zgjedhjeve, teksa edhe një herë ka theksuar nevojën për të qëndruar bashkë.

“Dy rrugë ka. Ose rrimë bashkë e bëjmë riorganizim ose ja dorëzojmë Sali Berishës. Synimi Berishës është ta marrë PD-në për t’u mbrojtur nga non grata”, mësohet të jetë shprehur Basha gjatë mbledhjes.

Leave a Reply