I arratisuri për të mos vuajtur dënimin për krimin në Kosovë, i punësuar në Ushtrinë Serbe?

Ish-pjesëtari i Ushtrisë së Jugosllavisë, Rajko Kozllina, i cili nuk është paraqitur për mbajtjen e dënimit me burg për krimin ndaj civilëve shqiptarë në fshatin Tërnje në Kosovë, në vitin 1999 dhe i cili, sipas pretendimeve të medieve, ka ikur nga Serbia, ka qenë pjesëtar aktiv i Ushtrisë së Serbisë edhe pasi që i ishte shqiptuar dënimi.

Kjo buron nga përgjigja që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga Gjykata e Lartë në Beograd, e cila dënoi Kozllinan me 15 vjet burgim, në prill të vitit 2019, për vrasjen e 15 dhe plagosjen e dy civilëve shqiptarë në fshatin Tërnje të Suharekës.

“I akuzuari Rajko Kozllina, në mënyrë të rregullt e ka marrë vendimin e shkallës së parë, më 1 gusht 2019, përmes komandës kompetente të Ushtrisë së Serbisë, në të cilën ai është i punësuar. Edhe aktgjykimi i shkallës së dytë iu dha atij gjithashtu përmes komandës së ushtrisë, në bazë të nenit 244, paragrafi 4, të Kodit të Procedurës Penale më 28.1.2020 ”, ka deklaruar Gjykata e Lartë.

Në paragrafin 4 të nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale thuhet që “nëse marrësi refuzon të nënshkruajë certifikatën e dorëzimit, dorëzuesi do ta regjistrojë këtë në certifikatë dhe do të shënojë ditën e dorëzimit, me çka edhe kryhet procedura e dorëzimit”.

Pas kësaj, Kozllina nuk u paraqit për të vuajtur dënimin e tij, ndërkaq që Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së përsëritur të Radios Evropa e Lirë, nëse është e vërtetë që ai u largua nga Serbia e as për atë se si ka ndodhur kjo.

Përgjigje nuk ka pasur as nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me statusin aktual të Rajko Kozllinas në Ushtrinë e Serbisë.

Në pyetjen se a kanë informacione nga policia dhe se a do të kërkojnë shpallje të fletarrestimit ndërkombëtar për Kozllinan, Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka heshtur.

Çfarë thonë në gjykatë?

Një ditë para shpalljes së aktvendimit për Kozllinan, më 15 prill 2019, në Gjykatën e Lartë në Beograd kishte arritur një shkresë nga Ministria e Mbrojtjes – Agjencia ushtarake e Sigurisë, e cila i ishte drejtuar Prokurorisë për krime të luftës.

Duke mos treguar se çfarë përmbante shkresa, Gjykata e Lartë i ka thënë Radios Evropa e Lirë që shkresa “menjëherë i është proceduar Prokurorisë për krime të luftës” dhe “marrë parasysh përmbajtjen e saj, është kërkuar sqarim nga zëvendësprokurori lidhur me masat e sigurimit të pranisë së të akuzuarit dhe zhvillim të papenguar të procedurës”.

Në të njëjtën ditë, Gjykata e Lartë, siç deklaron më tej, urdhëroi policinë të konfiskonte pasaportën e Kozllinas dhe t’ia ndalonte atij përdorimin e letërnjoftimit si dokument udhëtimi.

Rajko Kozllina, një ditë më vonë, më 16 prill 2019, u paraqit në sallën e gjyqit të Gjykatës së Lartë në Beograd dhe, së bashku me ish-anëtarin e dytë të akuzuar të Ushtrisë Jugosllave, Pavlle Gavrilloviq, mohuan fajin për krimin kundër civilëve shqiptarë në Tërnje.

Leave a Reply