I pandalshëm fluksi i refugjatëve në ishujt grekë

Megjithëse çdo ditë regjistrohet një tragjedi e re në ujërat e detit Egje si ajo e ditës së dielë me 5 refugjatë që kanë humbur jetën, midis tyre tre fëmijë të vegjël, fluksi i emigrantëve që hyjnë çdo ditë nga brigjet turke, drejt ishujve grekë është i pandalshëm.

Sipas të dhënave të fundit të organeve greke nga e diela deri të hënën në mesditë, mbi 10000 refugjatë kanë mbërritur në ishujt grekë, 5500 në Lesbos, 2500 në Hios dhe mbi 1500 në Samos.

Këtë valë njerëzish të dëshpëruar që kërkon të largohet me çdo kusht nga zonat e luftës në Siri, Irak apo Afganistan nuk e ndal as edhe përkeqësimi i motit në detin Egje. Çdo orë peshkatarët e Lesbos ndihmojnë me barkat e tyre të peshkimit dhjetëra refugjatë që sjellin trafikantët turq pranë brigjeve të Greqisë dhe më pas i braktisin duke mbytur gomonet apo varkat e vogla pasi kanë hyrë në ujërat greke në mënyrë që trupat e Marinës Detare të jenë të detyruara t’i shpëtojnë.

“Rojet bregdetare nuk mund të vinin për arsye se ndodheshin duke ndihmuar disa raste të tjera dhe u detyrova t’i sjell në port. Në bord kishte gra dhe fëmijë”, shprehet Konstantinos Pinteris, peshkatar në Lesbos.

Por mbërritja në ishull nuk është fundi i peripecisë për ta. Çdo ditë mijëra refugjatë qëndrojnë për orë të tëra nën diellin përvëlues në radhë pasi procedurat e regjistrimit janë të gjata, ndërsa në pikën e hyrjes, hot spoti i parë i krijuar në ishullin Lesbos, ka mungesë të theksuar aparaturash dhe personeli.

Vetëm 2500 vetë në ditë mund të marrin dokumentin e shumëkërkuar të azilit të përkohshëm, me të cilin mund të udhëtojnë me pas drejt Europës. Por gjatë ditëve të fundit për shkak të mbërritjeve të mëdha midis emigrantëve, në Lesbos regjistrohen konfrontime për mbajtjen e radhës, apo sigurimin e ushqimit dhe të ujit dhe organet vendore shprehen se gjendja po kalon përseri jashtë kontrollit.

E vetmja shpresë për normalizimin e situatës është mbërritja e aparaturave të reja të regjistrimit të shenjave të gishtave nga Gjermania dhe e personelit shtesë nga Athina. Por, përsëri edhe largimi nga ishulli drejt Pireut dhe më pas drejt kufirit me Shkupin, është për ta vetëm vazhdimi i kalvarit të tyre të mundimshëm drejt vendeve të Europës qendrore.

Leave a Reply