U larguan nga vendi menjëherë pas ngjarjes
Policia e Lezhës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 13 Nëntor ku 3 persona hynë të maskuar dhe të armatosur në një lokal në fshatin Zejmen të Lezhës. Autoritetet kanë bërë të mundur identifikimin e 3 autorëve të dyshuar të ngjarjes dhe i ka shpallur ata në kërkim, pasi menjëherë pas ngjarjes ata janë larguar nga Shqipëria. Ata janë Roan Brahimi, 29 vjeç, Ramazan Rraja, 28 vjeç dhe Alesio Dobrozi, 31 vjeç.
Nga hetimet rezulton se 3 të rinjtë kanë hyrë në bilardo të armatosur për shkak të një konflikti të ndodhur më parë ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit dhe një shtetasi që është mik i 3 autorëve të dyshuar të ngjarjes.
“Këta tre të fundit, më datë 13.11.2021, kanë shkuar të armatosur, në lokalin në pronësi të shtetasit A. K., dhe kanë kërkuar kushëririn e tij, shtetasin L. M.(K), (i cili më herët ishte konfliktuar me shtetasin Gj. J., mik i tre autorëve të dyshuar). Shtetasi L. M.(K), në momentet e ngjarjes nuk ka qenë në ambientet e lokalit”, thuhet në njoftim.
Po në vijim të veprimeve, menjëherë pas publikimit të videos në media dhe rrjetet sociale, nga shërbimet e Policisë është bërë i mundur identifikimi i të gjithë personave që ndodheshin në lokal, të cilët në vijim të veprimeve hetimore janë proceduar penalisht për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”, e mbetur në tentativë, të kryera në bashkëpunim.
Ramazan Rraja sërish probleme me drejtësinë, nipi i deputetit të PS shpallet në kërkim për terrorin me armë në lokal
Ramazan Rraja është shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 13 Nëntor në një bilardo në Zejmen të Lezhës. I riu, sëbashku me Roan Brahimin dhe Alesio Dobrozin, kanë hyrë të armatosur në lokal për shkak të një konflikti që ka ndodhur mes një mikut të tyre dhe një kushëriri të pronarit të lokalit.
Ramazan Rraja është arrestuar në vitin 2020 në Belgjikë në kuadër të operacionit “ATOS”. Së bashku me 6 persona të tjerë, i riu nga Nikla e Fushë Krujës u arrestua pas hetimeve për trafik droge ku u sekuestruan 232 kilogramë kokainë.
Për këtë rast, së bashku, me të u arrestua edhe Fioralb Rraja, kushëri i tij. Por Rraja u lirua nga qelia me vendim të gjykatës belge më 27 Maj të vitit 2021. Gjykata në Bruksel vendosi të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij nga arrest me burg në detyrim paraqitje.
Ramazan Rraja është nipi i deputetit socialist, Rrahman Rraja. Emri i 28-vjeçarit del edhe në deklarimet e ish-oficerit të Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu, që kallëzoi në polici se është kërcënuar nga Redjan dhe Ramazan Rraja, pasi e hetonte Rexhep Rrajën, djalin e deputetit pas denoncimit për dhunë të Xhisiela Malokut.
Po ashtu në vitin 2019, Ramazan Rraja është proceduar penalisht pas një video të publikuar në mediat sociale ku shfaqej duke dhunuar një femër në oborrin e spitalit “Nënë Tereza”./tvklan.al