Identiteti kulturor evropian dhe “ne të tjerët”

Midis nesh

Aktualisht, mbase edhe për dekada të tëra, nuk mund të flitet për një identitet të vetëm kulturor evropian! BE-ja ka vendosur që ky identitet të jetë “multikulturalizmi” i një bashkësie të gjerë që diversitetin kulturor e ka si “dy sytë e balli”! Unioni i shteteve, secili me kulturë të vet nacionale dhe që përkujdesen për kulturat e ndryshme të komuniteteve dhe të bashkësive të tyre etike. Për gjithë këto vite janë dashur shumë angazhime dhe fonde prej miliarda eurosh me qëllim që të ngrenë një strukturë kulturore që do të jetë vlera më e madhe e një Unioni të shteteve evropiane!
Po “ne të tjerët” që pretendojmë të përfshihemi në këtë Union, si do t’ia bëjmë me kulturat tona? Me kulturat tona nacionale a jemi duke dhënë sinjale të forta se do t’ia dalim që të bëhemi një “vidhë konstruktive” në tërë atë strukturë kulturore evropiane tashmë të “çeliktë”! Për momentin e kemi të sigurt vetëm shijimin nga distanca të vlerave të pacenueshme të kësaj kulture të bashkuar; të lakmojmë dhe të ëndërrojmë ditën se kur do të mund të përfshihemi institucionalisht në politikat kulturore të BE-së!
Fatkeqësisht, ne të tjerët, shtetet që jemi kandidatë për t’u inkuadruar në këtë familje të madhe, me politikat kulturore që i zhvillojmë jemi shumë larg, gati në kufijtë e të pamundshmes që të inkuadrohemi ndonjëherë në BE! Kjo Familje e Madhe nuk do të na pranojë me “kultura problematike”, me një mentalitet që kulturën e sheh si mundësi për përfitime personale, për ta manipuluar historinë nacionale, rajonale e botërore. Pra, popujt dhe shtetet me “kulturë me prirje konfliktuale”, por edhe ata shtete e popuj me prirje për “tallava kulturë” as që guxojnë të shohin ëndrrën e bashkimit të madh! Sepse, kjo nuk do të mund të ndodhë asnjëherë. Nuk ka strategji, nuk ka pozitë gjeostrategjike, ushtarake, madje as ekonomi gjigante, që mund t’i anashkalojë problemet kulturore në të mirë të afrimit dhe bashkimit me BE-në!
BE-ja e ka shumë të qartë rolin e kulturës dhe të industrisë kreative në zhvillimin e saj ekonomik, pra, në shtimin e mirëqenies së përgjithshme. Prandaj, për strategjinë Evropa Kreative përgjatë viti 2013-2020 janë ndarë 1.8 miliardë euro. Politikat evropiane kanë detektuar se në bruto prodhimin evropian, kultura si dhe industria kreative arrijnë vlerën prej 4.8%, apo rreth 3.8% të të punësuarve në BE (diku rreth 8.5 milionë vende pune)! Falë këtyre synimeve të politikave evropiane, gjatë vitit 2000-2007, punësimi në sektorin e kulturës dhe industrisë kreative për çdo vit ka shënuar rritje prej 3.5 %!
“Ne të tjerët”, a mund të themi se po hartojmë strategji nacionale për t’i përcjellë këto trende evropiane në sektorin e kulturës? Jo, sepse, “ne të tjerët” akoma jemi në stadin e “ndërtimit dhe përforcimit” të identitetit kulturor, madje edhe më keq, akoma nuk jemi të prerë dhe të qartë se si do të duket identiteti ynë kulturor në 100 vitet e ardhshme! Buxhetet e kulturave tona janë për të gjeneruar “heshtje të intelektualëve” dhe nuk janë burime që gjenerojnë punësime, që hapin vende të reja pune, që nuk premtojnë kurrfarë rritje të industrisë kreative.
Pra, BE-ja, përkundë fragmentarizimit kulturor e gjuhësor, me politikat e veta kulturore angazhohet fuqishëm në promovimin dhe në ruajtjen e diversitetit kulturor dhe gjuhësor si dhe në shtimin e konkurrencës, sepse vetëm kështu do të rritet punësimi, respektivisht, mirëqenia dhe zhvillimi i përgjithshëm. Në BE funksionon Strategjia e përbashkët e ngritur mbi programet e veçanta ta aktiviteteve kulturore. Dhe, sa më të ndryshme dhe më të larmishme që të jenë këto aktivitete aq më i fuqishëm do të jetë përkushtimi i shoqërisë për ta ruajtur dhe zhvilluar diversitetin kulturor, vlerë kjo mbi të cilën ngritët identitet kulturor evropian.
Me politika diskriminuese, me politika për kultivim të kultit “popull bibliko-mitik”, me politika për të ngritur identitet kulturor duke shkelur identitete të tjera dhe duke ua vjedhur vlera e faktuara në historinë botërore, nuk ka BE, sepse identiteti kulturor evropian nuk toleron që brenda vetes të ketë “trup tumoral” që paraqet problem shëndetësor! Identiteti kulturor evropian nuk mund të tolerojë që të jetë i përfshirë në asnjë konflikt identitar dhe as brenda vetes të ketë ndonjë segment kulturor konfliktual! /HEJZA/

Leave a Reply