India sot ka regjistruar më shumë se 100,000 raste të reja të COVID-19, rritja më e lartë njëditore që kur filloi pandemia në fund të janarit të vitit të kaluar, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi.
Ministria theksoi se gjatë 24 orëve të fundit u diagnostikuan 103.558 raste, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendit në mbi 12,5 milionë. Numri i të vdekurve tani qëndron në 165.101, duke përfshirë 478 viktima të reja.
Vendi ka raportuar mbi 11,6 milionë të shëruar, sipas ministrisë.
India raportoi mbi 90.000 raste në ditë në shtator të vitit të kaluar, kur regjistroi kulmin, duke përfshirë rekordin prej rreth 98.000 rastesh. Megjithatë, numrat shënuan rënie deri në janar të këtij viti.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shteti perëndimor Maharashtra është prekur më keq nga COVID-19, duke raportuar një numër të madh të rasteve.
Qeveria e Maharashtra-s të dielën në mbrëmje njoftoi kufizime të reja në shtet, duke përfshirë orën policore gjatë mbrëmjes dhe mbylljen për fundjavë, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.