Informaliteti, Rama: Operacioni më i rëndësishëm në mandatin qeverisës

Kryeministri Edi Rama, së bashku me drejtoreshën e përgjithshme të Tatimeve, Brisida Shehaj, dhe drejtorin e komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, e nisën ditën duke konsumuar një kafe në zonën e ish-Bllokut. Ishte një kafe në pak minuta e pirë prej shefit të qeverisë shqiptare për të sensibilizuar qytetarët në kuadër të operacionit kundër informalitetit.

Pasi ka paguar dhe marrë kuponin tatimor, Rama thotë se kjo nuk është një betëjë me biznesin e vogël: “Dua shumë thjesht të shpjegoj që e gjithë përpjekja për ta përshkruar këtë operacion historik si një operacion kundër të vegjëlve është një përpjekje sa injorante, aq edhe hileqare ose të dyja bashkë. Sepse, në fakt, duke marrë kuponin tatimor ne mbyllim shtegun për evazionin e të mëdhenjve. Është shumë e thjeshtë dhe për këtë arsye marrja e kuponit tatimor është sot një detyrim patriotik për të dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë, që financat tona publike të fuqizohen, ashtu siç nuk e imagjinojmë dot sot, dhe pastaj ne të kemi mundësi që të bëjmë shumë më tepër investime, për shkolla, kopshte, çerdhe, infrastrukturë dhe për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe mbi të gjitha kemi mundësi të ulim taksat dhe të rrisim rrogat për të gjithë”.

Rama shpjegon rëndësinë e tërheqjes së kuponit duke e ilustruar me këto shifra: “Faktikisht, nëse në Shqipëri sot po marrim një mesatare shumë të thjeshtë, pihen 1 milionë kafe dhe shishe uji në ditë dhe marrim një çmim shumë mesatar, me ulje, një mijë lekë (të vjetra), e dini sesa është shuma që shkon në drejtim të paditur në vend që të shkojë në Arkën e Shtetit, për t’iu kthyer individit si qytetar në formën e investimeve dhe të shërbimeve? Është 61 milionë dollarë vetëm nga kjo. Ku shkojnë këto 61 milionë dollarë? Këto shkojnë në drejtim të paditur dhe janë evazioni i madh, nuk janë thjesht e vetëm evazioni i vogël i kafes. Nga ana tjetër, edhe vetë të vegjlit kanë një interes në këtë rast që ta japin kuponin, sepse ulin barrën në të cilën përfshihen praktikisht bashkë me qytetarin për shkak të të mëdhenjve. Mirëpo duke ardhur tek pika fundore, ne praktikisht bllokojmë prurjet që vijnë nga burimet e mëdha të evazionit që janë kompanitë e mëdha, që janë furnizuesit e mëdhenj, që janë ata që tregtojnë me shumicë mallrat e vlerës, apo mallrat e konsumit të përgjithshëm”.

Top Channel e pyeti kryeministrin për radhët e gjata në të gjithë vendin përpara zyrave të QKRS dhe nëse këto zyra duhet të punojnë me orar të zgjatur për t’i shërbyer biznese të vënë në radhë për t’u regjistruar: “QKRS shërben me orë të zgjatura, por do të kishte qenë më mirë që të regjistroheshin kohë më parë. Sepse, nëse këtu kemi një lokal që shërben me kupon tatimor, familja që ka investuar për të ndërtuar këtë biznes të vogël bashkë me ata që janë të punësuar në këtë biznes të vogël, e në mos qoftë biznes i vogël edhe biznes i madh, nuk i ka borxh askujt që ngjitur me të të jetë dikush tjetër që bën garipin dhe përfiton duke shtrembëruar konkurrencën dhe duke bërë të pamundur që ata që kanë lokalin këtu të përfitojnë nga ulje taksash dhe të rrisin rrogat dhe të rrisin punësimin e tyre”.

Mësohet se ditët në vijim do të jenë sensibilizuese për qytetarët dhe vetë bizneset në luftë kundër informalitetit. Shefi i qeverisë shqiptare e ka cilësuar si “operacioni më i rëndësishëm i mandatit të kësaj qeverie”, duke u vënë vetë në krye të tij.

Leave a Reply