Injoranti me potencë fizike

Këto ditë, një anëtar i Rijasetit (Jusuf Zimeri) i nis letër publike Shaqir Fetait, këtij instalacioni të shëmtuar në krye të BFI-së nga qarqe të shërbimeve antifetare e antikombëtare të vendit. Letra shpalos një mori defektesh dhe problemesh të turpshme në BFI që lindën me ngritjen e këtij farë instalacioni të haramshëm

Nga Mahir Rexhepi

Një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Shaqir Fetait dhe, për nga kierarkia fetare njeriu i dytë i vendit (drejtor i Sektorit për çështje fetaro-arsimore) i shkruan letër publike Shaqir Fetait. Veç tjerash ia përkujton edhe një problem, i cili nuk guxon të shkojë aq lehtë, pa u analizuar mirë e hollë! Shaqir Fetai shpesh u paska thënë bashkëpunëtorëve të vetë “Jam shumë i fortë! Hiç nuk e keni idenë se sa i fortë jam bërë”! Dhe tani, të jetë ky kërcënim i Shaqir Fetait hiç nuk e duron toka, sepse, të gjithë e dinë, ama të gjithë ata që e njohin, e dinë se çfarë bithpambuku që është Shaqir Fetai, çfarë frikacaku e çfarë lëpiskaxhie ka qenë dhe mbeti! Me këtë shprehje prej avdalli Shaqir Fetai, në fakt, është munduar të demonstrojë pak forcë karshi atyre që, ose kanë qenë të shantazhueshëm, ose i ka pasur në grusht duke i lejuar që të vetësajojnë “dosje”, sepse, sipas letrës publike Shaqir Fetai jo një herë qenka mburrur se i ka në grusht do “hajna” të cilët i ka pasur në pozita të larta dhe me të cilët ka bashkëpunuar ngushtë! Edhe hajna edhe bashkëpunëtorë?!
Le të supozojmë se Shaqir Fetai na qenka bërë i fortë, madje aq i fortë sa “nuk e paskan pasur idenë për forcatën e tij”! Po prej nga këtë forcë Shaqir Fetai?! Kush ia dhuroi? Pse iu desht forca Shaqir Fetait? Forca, fuqia, (ushtria, policia) të duhet ose për të sulmuar dikë, ose për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm! Shaqir Fetai e sulmoi një Instiucion, me traditë dhe me histori të papërsëritshme, e sulmoi, e shkatërroi, e rrënoi deri në themel! Shaqir Fetait i duhet një forcë e tillë jo se ka nevojë të mbrohet, sepse, askush nuk është duke e sulmuar, madje të gjithëve po iu duhet që të kënaqen tek e shikojnë se si ngulet prej skandali në skandal, prej problemi në problem sepse të gjithë e përceptojnë si të huaj, si mish i egër, si masë tumorale! Shaqir Fetait mund t‘i duhet kjo fuqi, forcë, për t’u mbrojtur nga opinioni i gjërë, nga populli, i cili po ndjenë se po i mbushet kupa me idiotizmat e Shaqir Fetait. Shaqir Fetai e pret konfrontimin me popull, është i bindur se populli do t’ia tëkërlisë shallin e hoxhës, ndaj dhe demonstron fuqi dhe jo respekt! Sepse, po të demonstronte nder e respekt, të vetmin nder që do të mund ta shprehte karshi popullit, do të duhej të ishte vetëvarja publike e tij! Shaqir Fetait nuk i ka ngelur asgjë tjetër përveçse këtij akti si të Judë Iskariotit, sepse kur teneqja i futet aventurës për ta imituar çelikun, këputet në kurriz!
Nga e mori Shaqir Fetai tërë atë fuqi me të cilën u kërcënohet të punësuarve? Nga e mori atë guxim për të manifestuar forcë, ndërkohë që nuk guxon të ulet e të debatojë publikisht me oponencën e vet? Kush ia dha, kush ia garantoi, pse duhej t’i jepte “x-factor”-i fuqi Shaqir Fetait? Fundja, pse i duhet Shaqir Fetait të jetë më i forti?! Forca duhet vetëm në rast të nevojës për shkatërrim! Dikush po thotë se këtë fuqi e ka nga UDB-ja të cilës i shërbeu me aq zell Shaqir Fetai! Dikush tjetër po thotë se këtë forcë ia ka garantur Spasovski, Ministri i Punëve të Brendshme. Porse, ajo që hap dilema është çështja: pse këtë forcë t’ia japë UDB-ja apo policia maqedonase e vendit!
Në fakt, Shaqir Fetai ka momente kur të tjerëve u lavdërohet me fuqinë e BDI-së që i qëndron mbrapa Shaqir Fetait! Kështu thotë Shaqir Fetai, duke u munduar ta njollosë këtë Parti kombëtare si bastion të udbashëve! BDI gjithnjë ka qenë alergjike ndaj udbashëve, ndaj kurrë nuk i ka mbrojtur! Por, nëse është marionetë e policisë maqedonase që drejtohet nga LSDM-ja, duhet të analizohet nëse është alet që një ditë do të përdoret për ta shantazhuar dhe dëmtuar BDI-në, nëse kjo parti eventualisht do të futej në marrëveshje koalicionimi me VMRO-në!
Rasti i Kërçovës, i rrënimit të minares së xhamisë të fundshekullit XVIII, dëshmon se Shaqir Fetai ka nevojë për fuqi Samsoni! T’i lidhë me zinxhirë minaret që janë të kategorisë së objekteve të rëndësië të veçantë historike. Rrënohet minarja e Xhamisë në Tuhin, një vit më parë rrënohet Eski Xhamia në Tetovë, po atë vitë rrënohet edhe minarja e xhamisë në fshatin Tatesh! Shaqir Fetai e përdorë këtë fuqi për t’i rrënuar të gjitha xhamitë e vjetra të ngritura nga popullata myslimane autoktone. Në vendin tonë duhet të jenë xhamitë e periudhës osmane, të ndërtuar nga turqët, ndërsa ato që tashmë llogariten shekullore e të vjetra, të ndërtuara nga popullata myslimane e vendit, duhet të rrënohen, xhami të reja të kemi vetëm nga koha e Shaqir Fetait e këndej!
Një gjë është e qartë, në viset shqiptare do të ngelin në kujtesë dy periudha si më të rëndat kur janë prishur xhamitë vendore: ajo e luftës së Sllobodan Millosheviqit dhe periudha e avdallit Shaqir Fetai. Xhamitë e vjetra, gjithnjë meremetohen, ose konservohen dhe ruhen pavarësisht përshtypjeve të para se mund të paraqesin rrezik për qytetarët vendorë! Vetëm, në kohën e Shaqir Fetait prishen minare e xhami të vjetra e shekullore dhe në vend të tyre të ngriten xhami të reja, “bashkëkohore e moderne”! Nuk ka kuptim që Eski Xhamia në Tetovë edhe më tej të mbajë këtë emër kur tashmë është “Jeni”! Dikur, në kohën e reisit të më parshëm, në një Myftini të vendit u prish një xhami e vjetër por, brenda pak ditësh u ndërmorën masat dhe u shkarkua Myftiu, një prej teologëve më të respektueshëm të vendit! Sepse ai nuk e pati “takatin” e Shaqir Fetait! Shaqir Fetai shkatërron Institucion, e vjedh Vakëfin, e shet Vakëfin, e fal Vakëfin, regjistron bashkësi të tjera “islame”, lejon ndërtimin e xhamive private, nuk ka kontroll mbi 80 për qind të xhamive, prish xhami të vjetra, rrenë, premton, ofendon, përçmon pa iu futur therrë në këmbë. Sepse është shumë i fuqishëm! Vetëmse akoma nuk dihet se prej nga e gjithë ajo fuqi, kush po ia jep dhe për çfarë po i duhet. Fundja, a i ka hije potenca fizike injorantit?!

Leave a Reply