Institucioni fetar (i cilës do fe qoftë ai) është apartiak dhe mbipartiak, është i të gjithëve dhe të gjithë duhet të jenë në obrellën e tij, qofshin këta edhe militantë partiakë apo drejtues partish, sepse, janë përkatës të komunitetit fetar! Kur institucioni fetar nuk përfillet fare nga populli, nuk është problemi te populli por te vetë institucioni dhe te drejtuesit e tij
Nga Mr. Eset Shaqiri
Partitë politike, përgjatë kësaj periudhe të sistemit plural, jo që nuk kanë hedhur emra teologësh nëpër lista kandidatësh për deputetë, jo se kanë qenë inferior ndaj kësaj kategorie të shoqërisë sonë, porse, ja që asnjëherë nuk ia kanë dalur të kenë sukses, do me thënë, nuk ia kanë arritur ta bindin elektoratin për t’i votuar hoxhallarët për deputetë. Kandidatë të tillë ka pasur si në taborrin opozitar ashtu edhe në atë të pushtetit.
Bashkësia Fetare Islame në RMV, si gjithnjë, ose “nuk është përzier fare”, as nuk e ka përkrahur dhe as nuk e ka luftuar, ose e ka kundërshtuar “heshturazi” kandidatin teolog të propozuar nga partitë! Kjo për faktin se, këta kandidatë, nuk e kanë pasur “bekimin” e Institucionit fetar islam! Kjo u provua qysh me ish profesorin e Medrese “Isa Beu”, Sabaudin ef. Mahmuti, i cili nga PDSH-ja opozitare u propozua si kandidat për deputet!
Po çka ndodhë nëse teologët kandidatë për t’u bërë deputet marrin bekimin e BFI-së! Çka ndodhë me (mos)suksesin zgjedhor aty ku sot përzihet apo vullnetarisht angazhohet BFI-ja?
Dështimi i BFI-së (por edhe i subjektit për të cilin angazhohet ky Institucion) është i garantuar, sepse:
- BFI-ja aktuale është pa matricën e vet gjenetike,
- BFI-ja është pa autoritet, e papërfillshme në opinion dhe,
- BFI-ja ka zero ndikim në popullatën e vet.
Zgjedhjet e fundit dëshmuan për një fenomen shumë të çuditshëm dhe, njëherazi, edhe shumë të vërtetë! Myslimanët e devotshëm të Maqedonisë së Veriut, kjo që gjithnjë dhe masovikisht i ke nëpër xhami, kjo që gjithnjë dhe masovikisht i përgjigjen obligimeve fetare, kjo që gjithnjë dhe masovikisht i paguajnë taksat fetare – tërë kjo nuk do të thotë se pajtohen me politikat naive të analfabetëve që po na shiten si “shpëtimtarë”, por, thjesht, dëshmojnë devotshmërinë e vet dhe ndërgjegjësimin e tyre fetar. Ndërsa, barometër se sa kjo popullatë është me BFI-në le të shërbejnë pikërisht këto zgjedhjet e fundit presideciale dhe parlamentare!
Si asnjëherë më parë në këto zgjedhje të fundit BFI-ja u shndërrua në “shtab qendror” të pushtetit LSDM-BDI! Nën siglën e BFI-së haptazi u përhapën parullat “është haram të votohet”, të gjithë subjekti fetar i Maqedonisë Lindore u ngrit në këmbë për ta ndihmuar teologun që pati “bekimin” e BFI-së, Sulejman Baki, kandidat ky i Frontit Evropian, por që nuk ia doli, humbi! Myftinia e Tetovës në krye me Qani Nesimin u shndërrua në shtab kryesor të BDI-së ku madje qeraseshin edhe me sheqerpare për ta ëmbëlsuar bashëpunimin në mes të kësaj “myftinie” dhe strukturave policore të pushtetit në Tetovë! Makina zyrtare e Myftinisë së Shkupit, vendparkim kishte gjetur te shtabet e BDI-së. Makinat zyrtare të pushtetit e të BDI-së vendparkim kishin gjetur nëpër oborret e muftinive të BFI-së gjithandej Maqedonisë së Veriut. Tërë kjo përzierje e BFI-së rezultoi me fiasko, me një humbje të turpshme. Me tërë atë infrastrukturë shtetërore nuk ia doli që të ketë një përfaqësues të vetin në Parlament! A nuk është kjo një dëshmi e gjallë se popullata e vendit nuk i nënshtrohet urdhërave të BFI-së, se kjo popullatë nuk e ka as më të voglin respekt ndaj këtij Institucioni të padinjitetshëm dhe pa integritet?
Nga ana tjetër, “armiqtë” e BFI-së, teologët e respektueshëm, si ish-myftiu i Strugës, Salim Sulejmani, i shkarkar nga Shaqir Fetai, ashtu (me gjasë) edhe Adnan Azizi, të dy këta kandidatë në listën e koalicionit shqiptar VLEN, e cila shumë ashpër u luftua si nga BDI ashtu edhe nga BFI, ia dolën që të bëhen përfaqësues të popullit shqiptar e mysliman në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut!
Cilat do të jenë të mirat që do t’i gëzojë BFI-j nga këta dy teologë? Aktualisht, ky Institucion këta dy deputetë të VLEN-it i llogarit si armiq të vetin. Dhe, shtrohet pyetja, sa është islamikisht e pranueshme që t’i nënshtrohesh me kërkesa islame “armikut antiislam”? Nëse i nënshtrohesh – humb dinjitetin (nëse e ke), nëse nuk do t’i nënshtrohesh “pushtetit të armikut”, bota e ka shpikur kaherë shpëtimin – emigrimin, ose azilin! Është shumë e rëndë jeta pa dinjitet dhe pa integritet. BFI-ja nuk mund të emigrojë, por ama, drejtuesit e saj aktual duhet të “emigrojnë” një orë e më parë dhe të nisin vegjetimin brenda avllisë së tyre të thurur me intriga.