Institucioni pa “testament” të trashëguar

Pa i evidentuar të metat dhe dështimet, pa i evidentuar politikat e gabuara dhe planet ogurzeza, pa i evidentuar synimet dhe strategjitë “e armikut”, vështirë se arrihen sukseset! Pa lënien “testament” të të arriturave nga i pari te pasardhësi i vet, assesi nuk duhet të shpresohet në përkrahje të gjërë. Pa nivelizimin e vlerave dhe të të arriturave ndër myftinitë e BFI-së mund të flasim vetëm për organe primare dhe për “organe” që janë “organe” sepse duhet vota e tyre e instrumentalizuar. Përballë këtyre anomalive mund të flitet vetëm për sharlantantizëm, diletantizëm, shkatërrim, dezorganizim…

Shkruan Afrim Tahiri

Në një analizë timen, publikuar kohë më parë, duke folur për Institucionin e BFI-së këtu e tetëdhjetë vite më parë dhe sot, bazuar në raporte e në fakte, nënvizova punën kolosale dhe të paarritshme që është bërë në atë kohë dhe, pa dyshim, tërhoqa vërejtjen mbi punët nonshalante që sot kryhen në këtë Institucion.

Sukseset fiktive në imagjinatën e vakët

Cilët janë aktivitetet dhe sukseset e arritura brenda po të njëjtës periudhë kohore të përkufizuara në raportet përkatëse! Cilët janë sukseset e srukturës aktuale të dhunshme të BFI-së? Nuk ka? Ose, ka por, që të gjitha janë pjellë e imagjinatës së dështakëve që kanë qejf të vetëmashtrohen se sa shumë të suksesshëm që janë!
“Reisi” aktual ka prezantuar në disa mbledhje të organeve dhe të institucioneve arsimore, më tepër si manikin se sa si autoritet dhe, gjithnjë ka dalur me konstatim se myftinjtë janë për ”mësyshë”, janë shumë të sukseshëm dhe se po e drejtojnë organin ashtu siç duhet! E si duhet të drejtohet një organ, këtë nuk e di as vetë “raportuesi” (“reisi”), prandaj ai nuk ka program, prandaj ai nuk ka as synime dhe as qëllime. Prandaj ai nuk ka plan të veprimit, apo planin zhvëllimor, prandaj atij, gjithçka që ia siguron rehatinë në kolltukun e uzurpuar me puç, i duket e mirë, e mrekullueshme, e qëlluar. Dhe, të tilla vlerësime në fakt përbëjnë vetëkënaqësinë e pashembullt të një “reisi” të instaluar me një mijë intriga e dallavere!
Komisionet nuk ngriten për t’i evidentuar sukseset (qofshin ato edhe fiktive), siç i mëton këto “reisi” i shpifur! Komisionet nuk ngriten për t’ia kënaqur “epshet” hipokritit i cili as që di se çka është puna, si veprim! Tetëdhjetë vite më parë ishin formuar sërë komisionesh për t’i nënvizuar sukseset eventuale por, mbi të gjitha, për t’i evidentuar të gjitha të metat, të gjitha dështimet të gjitha gabimet, të gjitha mangësitë, të gjitha devijimet… Kjo, me të vetmin qëllim që të ndërmerren iniciativa, të mendohen projekte e rrugëdalje që të evitohen dhe të eliminohen të gjitha anomalitë dhe dobësitë organizative por edhe të atyreve që gabimisht ushtrohen ndër xhematet tona.
Kjo metodologji e punës dhe të kuptuarit e esencës së ndërmarrjes për kontrollim, evidentim e korrigjim të të metave dhe të gabimeve, dhe bërja e tyre transparente, është e vemtja rrugë drejt sukseseve dhe drejt bërjes së historisë. Evidentimi i “sukseseve” dhe këmbëgulja se gjithçka po shkon si në vaj, është vetëm një strategji e mirëplanifikuar për dështimin dhe shkatërrimin e një projekti, të një institucioni, të një sistemi, të një shteti.

Posti i trashëguar si amanet

Veç tjerash, në analizën time të publikuar kohë më parë kisha nënvizuar edhe numrin e mbledhjeve të mbajtura të organeve të atëhershme dhe sot, në hark kohor gati të njëjtë, numrin e vendimeve të miratuara atëherë dhe sot, por dhe konceptimin e aktiviteteve, të cilat, dikur kishin karakter kombëtar ndërsa sot kanë karakter personal, të personit të cilit i mvishen të gjitha “aktivitetet” vetëm e vetëm, që dikush të dalë si “më i vizituari”, si “më i dashuri”, si “më i suksesshmi” por ama vetëm në imagjinatën e tij shumë të kufizuar! Tek të tjerët, qofshin ata të brendshëm apo të jashtëm, “reisi” i instaluar dhunshëm nga qarqet politike që nuk janë dëshmuar si hajri i fesë islame, gjithnjë do të ngelë si masë e dhunshme politike, i cili nuk ka arritur që të trashëgojë një histori dhe një trashëgimi të begatë nga strukturat udhëheqëse të mëhershme. Sepse, i bëri komplot dhe puç njeriut i cili ia kishte dalë që të bëjë histori për sa i përket BFI-së!
Çka po dua të them! Në kohën kur u dorëhoq Sulejman ef. Rexhepi dhe në vend të tij erdhi Arif ef. Emini, e kemi fjalën për vitin 2000, prej meje është kërkuar nga ish-Reisi Sulejman ef.Rexhepi që të bëj “letër qarkore” drejtuar institucioneve ndërkombëtare, faktorëve nga bota turko-arabe, me të cilën ai i njohtoi se tash e tutje, atë e pason efendi Arifi, kurse vet do të drejtojë një nga sektorët e BFI-së. Nuk ka dyshim se “letër qarkorja” në fjalë ishte shumë e qëlluar, në dobi të institucionit, të Reisit dhe më gjërë.
Dhe, nga ana tjetër, çfar ndodhi me Shaqir Fetain, si u instalua në krye të BFI-së? Në fakt ai startoi nga zeroja, sepse nuk mund që ta tradhëtoshë pararendësin ndërsa t’ia respektoshë të gjitha të arrtiturat e tij si lider fetar! Në fakt, të gjithë institucionet vendore dhe të jashtme, të gjithë subjektet e botës turko-arabe, u informuan se liderit fetar të vendit iu bë një puç klasik, një komplot politik dhe, në vend të tij, u instalua politikisht, një njeri i cili pranoi që të jetë bartës i puçit dhe rrënimit të BFI-së! Nuk mund të jeshë lider kontinuitiv nëse nga pararendësi nuk ke “testamentin” për ta trashëguar tërë atë që është punuar. Largimi i pararendësit me arsyetim se, po largohet meqë përgjatë veprimit të vet ka shkelur Kushtetutën, i bie që të mohohet gjithçka e arritur prej tij dhe çdo lidhje bilaterale e krijuar prej tij.
Kjo është njëra prej arsyeve kryesore se pse “reisi” ftohet apo vizitohet vetëm sa për t’u kryqëzuar me sërë pyetjesh nga faktorët relevantë, të cilët janë të interesuar të dinë se cila është strategjia e veprimit të tij! Deri më tani nuk ia ka dalur ta bindë asnjërin me strategjinë e tij. Prandaj dhe, ata që e vizitojnë BFI-në, sot, qofshin nga vendi apo edhe nga jashtë, vijnë vetëm për informim, për ta testuar pulsin e komplotistëve, prandaj, gjithnjë bëhet “prezantimi i letërnjohtimit të BFI-së”, dhe asnjëherë nuk ia dalin që të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje për investime kapitale, për shtim të pronës së vakëfit, për bursa studentore, për pranim të studetëve tanë nëpër qëndra të ndryshme botërore etj.

Edhe diçka…

Pa dyshim që, të huajt po shoqërohen për të vizituar organe të caktuara të BFI-së, ashtu siç po ndodhë që “myftinj urbanë” të dërgohen diku për ta prezantuar BFI-në! Deri më sot, nëpër evente të bashkësive tona në diasporë, nëpër tribuna e takime shkencore, nëpër evente brenda apo edhe jashtë, nuk dërgohen “myftinjtë ruralë” por, vetëm ata që “reisi” i llogarit si shtylla përkrahjeje që gjithnjë duhet të ushqehen me beton! Myftiu i Velesit, myftiu i Resnjës, ai i Ohrrit, i Prilepit, i Kërçovës, i Shtipit dhe Dibrës, pothuajse nuk përfshihen në asnjë event. Pse? Për faktin që tashmë ua ka blerë përkrahjen dhe nuk ka nevojë t’i “qerasë”, apo për faktin që i ka katastrofë! Myftiu i Resnjës, Dibrës, Prilepit, Velesit, Manastirit, Shtipit nuk figurojnë në asnjë “axhendë” të të vetëshpallurit “reis”! Apo, të gjithë këta i llogaritë “myftinjë” vetëm kur t’i duhet votat e tyre për t’ia verifikuar si “gjest të qëlluar” tradhëtimin, komplotin, puçin! Po sa po tregohet i sinqertë i vetëshpalluri “reis” me këta “personalitete” se, me përkrahjen e tyre të parezervë po kontribuojnë në jetësimin e planit të “reisit”, në fakt po kontribuojnë në shkatërrimin total të BFI-së?

Leave a Reply