Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua ditën e sotme me ministrat e jashtëm të Austrisë, Çekisë dhe Sllovenisë, vend i cili merr dhe presidencën e radhës së BE me 1 korrik.
Basha i siguroi ministrat se PD do të bëjë gjithçka mundet në kapacitetin e saj për procesin e integrimit, si interesi më i madh kombëtar për vendin.
Në qendër të diskutimit të këtij takimi ishte edhe procesi zgjedhor i 25 prillit 2021, si dhe shqetësimet e opozitës në lidhje me tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve.
Basha nënvizoi gjatë bashkëbisedimit rolin e BE për vendin tonë dhe nevojën për të bashkërenduar forcat për të nxitur përmbushjen e kushteve nga Shqipëria, sidomos ne luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndarjen e politikës nga krimi dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, ndërsa shprehu vullnetin e palëkundur të PD për të vazhduar betejën për ndryshimin e vendit.
Ministrat nga ana e tyre u shprehën se BE dhe vendet anëtare do të ndjekin me vëmendje maksimale zhvillimet post-zgjedhore në Shqipëri, do të ketë një vëmendje të veçantë në raportin e OSBE/ODIHR dhe gjithashtu në vendimmarrjet e organeve administrative të zgjedhjeve dhe ato gjyqësore.
Një theks të veçantë ato i vendosën procesit të integrimit që do të thotë një vëmendje edhe më të madhe të BE-së ndaj Shqipërisë.