Integrimi “unifikon” pozitë-opozitë. BE: Zgjedhjet, rëndësi për procesin

Në Bruksel u mbajt Këshilli i 7 i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, ku për herë të parë mazhoranca dhe opozita u shfaqën me qëndrime më të përafruara se vitet e shkuara.
Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm: Shqipëria është në kursin e duhur, si përsa i përket zbatimit të reformave, ashtu edhe për krijimin e një politike më konstruktive në Parlament, në radhë të parë. Jam i gëzuar gjithashtu që sot, si delegacion shqiptar, së bashku me ministren e Integrimit Gjosha dhe zonjën Bregu, si kryetare të Komisionit të Integrimit Europian, për çështje që kanë të bëjnë me interesin më madhor kombëtar të Shqipërisë, ne ishim në një zë, sikundër për nevojën që procesi i integrimit europian të intensifikohet.

Me gjithë qëndrimet e përafruara të palëve, dialogu konstruktiv politik mes partive në pushtet dhe në opozitë është thelbësor për qëndrueshmërinë e reformave, që lidhen me integrimin europian, vëren Këshilli i BE-së.

Në deklaratën e përbashkët përfundimtare theksohet rëndësia e standardeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të cilat – kujton BE, – ofrojnë një mundësi shtesë për Shqipërinë, që të tregojë vendosmëri për zbatimin e marrëveshjes politike të Dhjetorit, duke trajtuar çështjen e personave me të dhëna kriminale në poste publike.

Edgars Rinkevics, ministër i Jashtëm i Letonisë, Presidenca e BE-së: Politikanët përdorin ndonjëherë një retorikë mjaft të fortë, ndaj mbase duhet t’i qetësojnë paksa deklaratat e tyre, për të vijuar me këtë proces përgjithësisht gjithëpërfshirës. Kështu që mund të konfirmoj, se zgjedhjet lokale janë gjithashtu të monitoruara nga Bashkimi Europian, Komisioni Europian dhe ato do të luajnë një rol të rëndësishëm për procesin vlerësues përfundimtar.

TCH: (Ndaj komisionerit) Mbeten edhe 5 muaj kohë deri në publikimin e paketës së zgjerimit nga Komisioni dhe, duke pasur parasysh se, përveç zgjedhjeve lokale të radhës janë edhe pushimet verore, çfarë prisni konkretisht nga Shqipëria, nëse ka mundësi për një rekomandim pozitiv këtë vjeshtë? (Ndaj Presidencës) Cili është humori i vendeve anëtare mbi Shqipërinë? A do të pranohej një rekomandim i tillë pozitiv i Komisionit brenda fundvitit?

Johannes Hahn, Komisioner për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit: Kjo lidhet me cilësinë dhe jo me shpejtësinë, por kam kuptuar se Shqipëria tenton të harmonizojë shpejtësinë me cilësinë. Nuk dua të parashikoj asgjë, por për momentin jam mjaft pozitiv, se Shqipëria mund të dëshmojë gjurmë provash solide e të qëndrueshme në reformat respektive mbi 5 prioritetet kyçe. Ne, besoj se do të nisim me vlerësimin paraprak në fillim të vjeshtës, ku do të shohim edhe se cilat do të jenë përfundimet tona për raportin e progresit.

Edgars Rinkevics, ministër i Jashtëm i Letonisë, Presidenca e BE-së: Siç e përmendët edhe ju me të drejtë, neve na mbeten ende 5 muaj, ndaj dhe besoj se Shqipëria mund të bëjë shumë në zbatimin e reformave. Po flasim shumë për zgjedhjet lokale dhe për zbatimin e reformave në disa fusha të rëndësishme, siç përcaktoi Këshilli i BE-së Dhjetorin e kaluar. Nëse shohim se ka një progres të vërtetë, i cili konfirmohet nga Komisioni, atëherë Këshilli do t’i përmbahet vendimit të marrë në Dhjetor të 2014-s. Por, për këtë na nevojitet, që të kryhet progresi në fushat kyçe, si sundimi i ligjit, reformat ekonomike, e kështu me radhë. Unë nuk do të paragjykoja tani, se cili do të ishte humori në Dhjetorin e ardhshëm, por dua të nënvizoj se, shumë varet ende nga vendi juaj. Gjatë diskutimeve të sotme na bëri përshtypje procesi i reformave të realizuara deri tani, si dhe ndërhyrja e kryetares së Komisionit kombëtar për Integrimin Europian, që nënvizoi disa çështje, ku mbetet ende për t’u bërë puna. Ndaj, le të përdorim kohën me mënçuri dhe produktivitet, e t’i japim mundësi Komisionit të vlerësojë, e më pas Këshilli do të vendosë mbi progresin e arritur nga Shqipëria dhe mbi vlerësimin e Komisionit, që e presim në Tetor.

Tendenca pozitive vërehet në zbatimin e reformës administrativo-territoriale, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për krimin e organizuar. Njëfarë përparimi njihet për luftën ndaj korrupsionit, ndërsa Gjyqësori mbetet sfidë madhore.

BE përsërit se “paanshmëria, pavarësia, transparenca, profesionalizmi dhe efiçenca e Gjyqësorit janë elementë qëndrorë në vlerësimin e kriterit politik për anëtarësimin në BE dhe kyçe për respektimin e sundimit të ligjit dhe për progresin në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ku kërkohen “gjurmë të forta provash për hetime proaktive, ndjekje dhe dënime përfundimëtare” për të gjitha nivelet.

Siç përmendej dhe në qëndrimin e përbashkët konfidencial të vendeve anëtare, ngrihet shqetësimi për numrin në rritje të kërkesave të pabaza për azil të shqiptarëve në BE, ndaj Shqipërisë i kërkohet të zbatojë masat afatshkurtra dhe afatgjata për të trajtuar këtë fenomen negativ. Qëndrimi i BE-së fshin pasazhin për viktimat e 21 Janarit 2011, diçka që deri vitin e kaluar konsiderohej “me rëndësi madhore, një proces i besueshëm gjyqësor pa vonesa”.

 

Leave a Reply