Presidenti amerikan, Donald Trump ka humbur një numër rekord zyrtarësh në vitin e tij të parë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Largimet më të mëdha, por edhe shkarkimet e bujshme nga ana e Trump tregojnë paqëndrueshmëri në drejtimin e Amerikës.
Nëse njerëzit nuk po arrijnë të mbajnë mend të gjitha shkarkimet dhe largimet nga administrata Trump, kjo nuk është për faj të tyre, pasi lëvizjet kanë qenë shumë të shpeshta. Një analizë e fundit nga Instituti Brookings gjeti se ekipi i Donald Trump ka vendosur rekord me numrin e lëvizjeve në administratë, me një nivel dyfish më të lartë sesa në administratën e Reganit.
Ky nivel u rrit edhe pak më shumë këtë fundjavë, ndërsa u njoftua dorëheqja e këshilltarit të sigurisë kombëtare, HR McMaster.
“Njerëzit do të vijnë e ikin gjithmonë…”, shkroi në Twitter, presidenti Trump, duke vënë në dukje: “Kam ende disa njerëz që dua të ndryshoj (gjithnjë në kërkim të perfeksionit)”.
Ai shtoi më pas: “Kaq shumë njerëz që duan të hyjnë. Kam një zgjedhje për secilin. Mund të përzgjedh çdo pozicion në Shtëpinë e Bardhë dhe të kem një zgjedhje të 10 personave më të duhur për ta bërë këtë detyrë – të gjithë duan të jenë këtu”.
Më poshtë janë njerëzit që nuk dëshironin të ishin atje – ose që Trump u ka treguar derën.
HR McMaster, këshilltar i sigurisë kombëtare
22 mars 2018 . Ashtu si në rastet e tjera të largimeve nga administrata Trump, ka pasur zëra për muaj të tërë që McMaster, i cili mbetet një lejtnant në detyrë në ushtrinë amerikane, po merrte në konsideratë dorëheqjen. McMaster pasoi në këtë detyrë të përkëdhelurin e dikurshëm të Trump por që nuk zgjati shumë, Michael Flynn. Ai sidoqoftë, nuk u konsiderua asnjëherë ndonjë personalitet i madh apo në përputhje ideologjike me Trump, pavarësisht dashamirësisë së madhe të presidentit për gjeneralët.
Njerëzit e së djathtës ekstreme pranë Trump si Steve Bannon dhe Mike Cernovich e kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur këshilltarin e sigurisë kombëtare se ishte armiqësor ndaj elementëve të axhendës së presidentit. McMaster do të zëvendësohet nga ish-ambasadori amerikan në OKB, John Bolton i cili, ndërkohë që është më konservator sesa McMaster, është parë gjerësisht si një përputhje e keqe personale me Trump.
Andrew McCabe, numri dy i FBI-së
16 mars 2018. Mes largimeve më personale dhe me gjasa hakmarrëse nga administrata Trump, McCabe u shkarkua çuditshëm 28 orë përpara sesa të dilte në pension nga FBI-ja. Ish-zëvendës drejtori në këtë pozicion ishte dorëhequr nga detyra në janar pas talljeve të përsëritura publike, zakonisht në Tuiter, nga ana e Trump i cili e akuzonte atë se ishte politikisht i kompromentuar për shkak se gruaja e tij kishte marrë donacione fushate nga demokratët gjatë kandidimit për garën në Senat. Ai ishte me leje ndërsa u pushua nga kryeprokurori i asaj kohe, Jeff Sessions për “keq-orientim të hetuesve”.
McCabe sugjeroi se shkarkimi i tij ishte pjesë e një përpjekjeje për të minuar hetimin e këshilltarit special për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.
Rex Tillerson, sekretari i Shtetit
13 mars 2018. Tillerson ka qenë duke menduar largimin nga administrata që në verë sipas një raportimi në NBC. Por, gjithsesi, ishte Trump që e shkarkoi atë.
Tensionet ishin shtuar me ish-shefin ekzekutiv të naftës që kur u raportua se ai e kishte quajtur Trump një “hajvan”. Ngërçi mes tyre duket se ishte tregues i një ndasie më të gjerë, si në stil ashtu edhe në thelb, mids dy burrave. Trump do të kishte dashur ta hiqte qafe Tillerson përpara takimit të skeduluar me liderin e Koresë së Veriut, një çështje për të cilën ka pasur mjaft përplasje kokë më kokë mes presidentit dhe sekretarit të Shtetit.
Gary Cohn, drejtor i këshillit ekonomik kombëtar
6 mars 2018. Cohn zgjati më shumë sesa prisnin shumë njerëz. Në një Shtëpi të Bardhë të mbushur me familjarë dhe amatorë, ai ishte ndër të rrallët profesionistë me përvojë. Ai po ashtu ishte regjistruar si demokrat e kjo nuk shkonte në një administratë ku konsensusi dypalësh nuk është pjesë e preferuar e programit. Animet globaliste të Cohn binin në kundërshtim me llojin e proteksionizmit ekonomik të Trump dhe ai e konsideronte presidentin “budalla”, sipas librit “Zjarr dhe Tërbim”. Tarifat për çelikun dhe aluminin ishin me gjasa penda që theu kurrizin e gamiljes, sipas raportimeve.
Hope Hicks, drejtore e komunikimit
28 shkurt 2018. Largimi i saj edhe në Shtëpinë e Bardhë të Trump ku pritet gjithçka, erdhi si surprizë për shkak të marrëdhënieve të ngushta që kishte me presidentin dhe ngjitjes si meteor në rrethin e afërt të Trump. Hick nuk kishte fare përvojë politike kur u bashkua me ekipin e fushatës në Iowa, por fitoi shpejt besimin e Trump për shkak të dukjes së vendosur dhe pa hezitim, tipare që presidenti i admiron. Hicks do mbahet mend se pranoi se ka thënë “gënjeshtra të bardha” në emër të presidentit gjatë një séance maratonë përpara komitetit të Inteligjencës së Kongresit.
Rob Porter, sekretari i stafit
7 shkurt 2018. Porter, i cili shërbente si ndihmës i lartë i shefit të stafit të Trump, dha dorëheqjen pasi dy ish-bashkëshorte të tij bënë publike akuza për dhunë familjare.
Omarosa Manigault-Newman, drejtore e komunikimit për Zyrën e lidhjeve me publikun
13 dhjetor 2017. Omarosa, një favorite e mbrojtur nga presidenti Trump në serialin “Apprentice”, nuk pati kurrë një rol të qartë specifik në administratë, përveçse të shërbente si mbulesë për çështjet që përfshin afro-amerikanët. Ajo nuk humbi kohë për të rihyrë në botën e “reality show” pas dorëheqjes dhe bëri bujë me rrëfimin e saj mes lotësh në një puntatë të Big Brother për mënyrën si u bashkua me administratën dhe sesa e shqetësuar ishte për rrugën që po merrte kjo administratë. “Eshtë kaq keq”, rrëfeu ajo.
Tom Price, sekretari i Shëndetit
29 shtator 2017. Ndërsa shumë prej largimeve nga Shtëpia e Bardhë kanë qenë dramatike dhe plot aromë intrigash, largimi i Price ishte tipik dorëheqje e një zyrtari të administratës. Pasi u raportua se ai kishte udhëtuar me charter për shumën e më shumë se 1 milion dollarëve, ai u ofrua të paguante paratë dhe dha dorëheqjen. Me presidentin, kishte pasur probleme për ndërhyrjet e pasuksesshme që Trump dëshironte të bënte në programin e trashëguar të kujdesit shëndetësor, Obamacare.
Sebastian Gork
25 gusht 2017. Ashtu si Steve Bannon, Gorka ishte prania e së djathtës në administratën Trump, dhe një person me ekspertizë të dyshimtë për politikën e jashtme dhe terrorizmin, çështjet që mbulonte për Trump. Ai zakonisht dilte si zëvendësues për presidentin në kanalet dytësore të lajmeve duke u argëtuar me deklarata kontraverse. Pas emërimit të John Kelly, ai e detyroi personalisht largimin e tij dhe më pas e pasoi edhe Bannon.
Steve Bannon, shefi strategjist
18 gusht 2017. Kur Bannon e la pozicionin e tij si kryestrategjist në Shtëpinë e Bardhë në gusht, ai tha se do të shkonte në luftë për Trump ndaj kundështarëve të tij. Ish-publikuesi i “Breitbart News” iu kthye lajmeve, por shpejt qëlloi veten në këmbë duke mundësuar disa detaje mjaft pikante për ish-punëdhënësin e tij për autorin e librit “Zjarr dhe Tërbim”.
Anthony Scaramucci
1 gusht 2017. Ai erdhi, e shkeli, u shkarkua. Pozicionimi 10 ditor i Anthony Scaramucci-t si drejtor i Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë do të kujtohet përgjithmonë nga vendimi i tij për të thirrur reporterët e për të bërë një tiradë profanike kundër anëtarëve të tjerë të stafit. Ky incident i sikletshëm entuziazmoi median që vendosi të printonte edhe fjalë të papërshtatshme të thëna prej tij dhe e la Shtëpinë e Bardhë në kërkim të një drejtori tjetër komunikimi që të bënte ndryshimin midis bisedës së regjistruar dhe të lirë me gazetarët.
Reince Priebus
28 korrik 2017. Eshtë e vështirë të gjesh një periudhë gjatë shtatë muajve në detyrë të tij si shef i stafit në Shtëpinë e Bardhë kur ai të mos ketë qenë subjekt spekulimesh për kohën se kur do të shkarkohej nga Trump.
Sean Spicer
21 korrik 2017. Spicer i kaloi ditët e para të tij si sekretar për Mediat në Shtëpinë e Bardhë, duke u zënë me gazetarët për madhësinë e turmës në inagurimin e Trump.
Michael Flynn, këshilltar i sigurisë kombëtare
14 shkurt 2017. Pozicionimi i ish-gjeneralit si këshilltar i sigurisë kombëtare ishte i shkurtër – vetëm 23 ditë – por prania e Flynn ende e përndjek Shtëpinë e Bardhë. Kjo për shkak, se pas dorëheqjes, kur doli në shesh se ai kishte keqinformuar zëvendëspresidentin Mike Pence për komunikimin që kishte pasur me ambasadorin rus, ai arriti marrëveshje me këshilltarin special Mueller. Flynn u vetëdeklarua fajtor se kishte gënjyer FBI-në dhe u zotua për “bashkëpunim të plotë” me hetimin e Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhje.
Sally Yates, kryeprokuror në detyrë
31 janar 2017. Mbetur nga administrata Obama, Yates shërbeu si kryeprokurore ndërsa shqyrtohej kandidatura e Jeff Sessions për detyrën. Në parim, Yates refuzoi të zbatonte ndalimin e udhëtimit të propozuar nga Trump, duke shkruar një letër ku shprehej se “nuk ishte i bindur nëse urdhëri ekzekutiv ishte i ligjshëm”. Edhe pse ai u shkarkua brenda disa orësh dhe u akuzua për “tradhti” nga Shtëpia e Bardhë, një sërë gjykatësish federalë ishin dakord me të./Tesheshi.com/