TË SHKRUARIT ËSHTË LIRIA IME
(Enkas për HEJZA-n)
Nuk më ndodh kurrë të punoj vetëm me një vepër letrare, përndryshe dita ime krijuese do të ishte tepër monotone. Për momentin jam e angazhuar me 3 përmbledhje me poezi në gjuhën italiane, një libër në gjuhën angleze si dhe me përkthimin e dy librave.
Sapo kanë dalë nga shtypi në Kanada dy libra të mi, njëri prej të cilëve përkthim i poezive dhe aforizmave të fitueses së çmimit Nobel, Grazia Deledda, vepër kjo që gëzon patronazhin e Enciklopedisë Poetike. Këto ditë dalin nga botimi dy libra të tjerë: përmbledhja poetike në gjuhën frënge “Les souvenirs en vers” (Kujtimet në vargje) nën logon e Shtëpisë Botuese Glory Editions në Kamerun, Afrikë si dhe romani në gjuhën angleze “The last days of a city” (Ditët e fundit të një qyteti) në Filipine. Të tjerë libra janë në proces botimi.
Asnjëherë nuk jam kushtëzuar nga fjala frymëzim. Në bllokun e shënimeve, që e mbaj me vete në çdo lëvizje e udhëtim, kam qindra poezi të shkruara në vitet e fundit, që presin t’i hedh në kompjuter. Më pas, unë punoj, përpunoj çdo krijim disa herë; në më të shumtën e herëve mbetet mendimi apo frymëzimi origjinal, por ka raste që jo. Punoj minimumi 5- 6 orë çdo ditë dhe nëse nuk është krijimtari e mirëfilltë, do të jetë përkthim apo redaktim. Jam e rreptë dhe kërkuese me veten.
Të shkruarit ka qenë liria ime edhe atëherë kur na ishte mohuar. Në ato çaste jam vetja ime ose ajo që do të doja të isha: e shpenguar, e guximshme, e lumtur. Koha që çdokush ka në dispozicion shkurtohet ashtu siç kam shkruar në një poezi me gërshërën e një rrobaqepësi dhe sfida ime më e madhe është të ndaj me lexuesin sa më shumë krijime, pikërisht tani kur mundem endeta bëj këtë…