Letër nga Shkupi Keqlexim apo interpretim tendencioz i porosisë së një editoriali

Letër nga Shkupi

Editoriali i shkuar lidhur me mbylljen e një librarie të librit shqip në mes të Çarshisë së Vjetër, shkaktoi shumë reagime emocionale, brengosje, shqetësim të arsyeshëm, por pati edhe nga ata që dinë të reagojnë ose kot ose në mënyrë tendencioze!

Është e pakuptimtë, madje tepër ofenduese, është “brengë” që del vetëm nga kuzhinat antishqiptare “konstatimi” se libraria qenka mbyllur për shkak të xhamive, për shkak të nënave, motrave, grave tona të mbuluara sipas normave të fesë islame!
Deri para dy-tre decenieve familjet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në veçanti në Shkup, kanë qenë edhe më konservatore, mbulesa ka qenë më dominante dhe më e theksuar, vajzat me të mbaruar të shkollës fillore mbylleshin nëpër shtëpi, ka qenë numër i vogël i vajzave që kanë pasur fat të vijojnë shkollën e mesme e aq më pak fakultetet! Megjithatë, këto familje kanë prodhuar bija e djem të kombit, që ia kanë dalë ta emancipojnë familjen shqiptare dhe kjo nuk është bërë pa një dashuri të madhe ndaj librit, ndaj leximit, ndaj arsimimit! Në cilën xhami është dëgjuar ndonjëherë që mos të lexohet libri! Cili është ai teolog, ai hoxhë që thotë mos blini dhe mos lexoni libra, kur ai e di fare mirë se kërkesë e parë kuranore, urdhër i parë i shenjtë i të Madhit Zot është “Lexo”!
Është shumë e vërtetë se në Shkup dhe, përgjithësisht, në Maqedoninë e Veriut, ekzistojnë edhe botues dhe librari të literaturës fetare islame, por asnjëra prej tyre nuk mund të lavdërohet se po i ec puna! Asnjë librari me literaturë fetare nuk është e kënaqur me shitjen e librave.
Me rastin e Ditës Botërore të Librit, Biblioteka nacionale dhe universitare në Shkup organizon panair të librit, me ç’rast bën dhurimin e qindra titujve të botuar nga shtëpitë botuese të vendit. Pra, dhurohet edhe libri shqip! Në këtë ditë, Bibliotekën në fjalë e frekuentojnë mijëra qytetarë që mund të pajisen edhe me atë titull të cilin nuk kanë mundur ta blejnë më herët, le të themi, për shkak të çmimit. Me rastin e kësaj ditë, më vitin 2020, nga librat shqip janë dhurua 7 tituj, sepse aq shqiptarë e kanë vizituar këtë panair. Në vitin 2021 janë tërhequr gratis nja 11 tituj, sepse gjatë tërë ditës bibliotekën e kanë frekuentuar aq lexues të librit shqip!
Cila është ajo nënë e mbuluar që i thotë fëmijës së vet që mos të shoqërohet me librin? Cila xhami dhe cila fe i pengon të rinjtë për t’u shoqëruar me librin! Prandaj, nuk është mirë që të shtrembërohet mesazhi i një shkrimi! Nuk është mirë të interpretohet porosia e një shkrimi, e cila është shumë fisnike, shumë humane! Editoriali ftonte në një ndërgjegjësim kolektiv, nxiste nevojën për kulturim të qenies sonë që në djep!
Bota ka provuar eksperimente nëpër ferma dhe lopët që kanë dëgjuar muzikë nga klasikët botërorë, kanë shtuar rendimentin, kanë prodhuar më shumë qumësht. Nënat që u kanë lexuar bebeve libra gjatë kohës së shtatzënisë, kanë lindur fëmijë që më lehtë kanë filluar të flasin dhe janë shprehur shumë më lehtë.
Pra, apeli i editorialit ishte që nga kjo ngjarje, nga mbyllja e librarisë, të nxjerrim mësim – t’i kthehemi librit, ta bëjmë blerjen dhe leximin e librit kulturë të përditshme, librin dhuratë ta konsiderojmë si dhuratë më të vlefshme, ta rikthejmë praktikën e dhurimit të librave në fund të vitit shkollor për të gjithë ata nxënës që dalin me rezultat të shkëlqyeshëm, lodrat kineze e kontaminuesi për fëmijët tanë t’i zëvendësojmë me libra që veçse pasurojnë botën dhe shpirtin e fëmijëve tanë! Të gjithë ne që nuk veprojmë në këtë frymë kulturore, nuk guxojmë që fajin ta kërkojmë te kishat, te xhamitë, te mbulesa e veshja fetare, sepse, fundja, rilindësit tanë, mendjendriturit e kombit tonë, janë rritur nga nënat me ferexhe, duke ngelur përjetë e mot, gratë e nderuara të kombit! /HEJZA/

Leave a Reply