Ish-presidenti Moisiu: Taksa 100% ndaj Serbisë ka qenë veprim i duhur

Ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu thotë se vendimi i Qeverisë Haradinaj për taksën 100% ndaj Serbisë ka qenë i duhur, kurse, korrigjimi i kufijve është ndërkombëtarisht i rrezikshëm. Sipas tij, Kosovës po i bëhet padrejtësi sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.

Moisiu, në një intervistë për KosovaPress, thotë se qeveria e re e Kosovës duhet të jetë largpamëse sa i përket çështjes me Serbinë dhe duhet gjetur mënyrën për marrëveshje me shtetin fqinj.

Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për Moisiun kanë shumë rëndësi meqë nuk mund të vazhdohet pafundësisht me gjëra pezull.

Sipas tij, ka qenë e nevojshme t’i tregohet Serbisë që Kosova ka “Zot shtëpie” e kjo u bë me vendosjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe.

Moisiu thotë taksa tashmë e ka arritur efektin e saj dhe duhet parë me kujdes si të vazhdohet tutje në këtë çështje.

Ish-presidenti shqiptar konsideron se Qeveria e re e Kosovës nuk duhet të merret me problemet ditore por me atë se çka do të bëhet tutje, ose siç thekson ai, duhet të jetë largpamëse.

Sa i përket shtetit të Serbisë, ai mendon që nuk do të mund të vazhdojnë gjatë me kokëfortësi, ndërkohë që shprehet se nuk i kupton deklaratat e politikanëve serbë: “Kosova është zemra e Serbisë”, meqë 95% e popullsisë në Kosovë janë shqiptarë.

I pyetur për idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Moisiu thotë se një veprim i tillë është ndërkombëtarisht i rrezikshëm.

Ndër të tjera, në intervistën dhënë KosovaPress-it, ish-presidenti shqiptar ka deklaruar që Kosovës po i bëhet padrejtësi sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, duke mos i dhënë përgjigjën pozitive ani pse i ka përmbush të gjitha kriteret./KosovaPress/

Leave a Reply