Ishulli i krijuesve të rinj

Midis nesh

“Zëri i Rinisë”, “Bota e Re”, “Fjala”, “Rilindja” (sidomos Rilindja e së shtunës me shtojcën për kulturë), “Fjala”, “Flaka e Vëllazërimit”, por edhe revistat për fëmijë (“Pionieri”, “Fatosi”, “Gëzimi”) ishin hapësira që mundësonin afirmimin e talenteve te reja. Krijuesit e rinj këtu i panë për herë të parë krijimet e tyre, për t’u rritur pastaj në emra të krijuesve kombëtar! Në këto gazeta e revista krijuesit fillestarë e merrnin verifikimin e tyre si krijues potencialë; nëpër këto gazeta e revista “gdhendej” krijimtaria e tyre, kalonte nëpër duart e redaktorëve më të mirë; nëpër këto gazeta e revista merreshin mësimet e para mbi zejen e shkrimit, mbi teknikat e shkrimit, mbi esencën e poezisë, të tregimit, të eseut, të kritikës e recensioneve, të studimeve; merreshin mësimet e para mbi redaktimin dhe eliminimin e fjalëve, frazave, qasjeve të panevojshme përgjatë krijimit.
Defilimi i këtyre krijuesve të rinj, botimi gjithnjë e më i shpeshtë i krijimeve të tyre, tërhiqte vëmendjen e redaksive botuese të librit. Çdo vit botoheshin emra të rinj, ndërsa shitja e librave të tyre brenda javës dëshmonte për respektin e lexuesve ndaj librave të tyre. Prandaj, jo rastësisht sot, nga ajo periudhë, kemi shkrimtarë të mëdhenj, kemi poetë të mëdhenj, kemi kritikë e studiues letrarë të papërsëritshëm!
Pas shuarjes së këtyre gazetave dhe revistave, pas mbylljes së redaksive “të specializuar” për publikim të vlerave dhe për shtytje të krijuesve të rinj për të arritur sa më lartë drejt majave të krijimtarisë letrare, sot kemi një situatë të mjerë! Krijuesit e rinj të sotshëm nuk e kanë atë privilegj për ta përjetuar tërë atë kënaqësi, tërë atë mbështetje profesionale, tërë atë ndjenjë të të qenët krijues! Sot me krijuesit e rinj nuk punon askush, për pasojë kemi publikime të “pa gdhendura”, krijues të rinj plotë entuziazëm e me pak njohje për krijimtarinë si proces dhe si produkt final.
Situata në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është edhe më e rëndë! Shkrimtarët e vjetër, të angazhuar edhe si redaktorë nëpër redaksi botuese, nxirrnin gjenerata krijuesish të rinj me emra respektivë! Sot, lindja e ndonjë krijuesi të ri në këtë hapësirë gjeografike mund të jetë vetëm “aksidentale”, falë ndonjë elementi të gjeniut letrar që mund ta kenë në gjen!
Pikërisht për këtë fakt, gati një vit më parë startoi “HEJZA”, e cila, deri më sot, ka zhvilluar politikën e njoftimit të të rinjve me krijimet e shkrimtarëve shqiptarë, por edhe të huaj si dhe me botimin e krijimeve nga autorët e rinj, kudo që krijojnë ata! HEJZA sot pranohet si një dritare prej nga mund të vërehen trendet krijuese, ecuritë dhe rrita e krijuesve të rinj! HEJZA i fton të gjithë krijuesit e rinj, të mos hezitojnë dhe t’i ruajnë të mbytur krijimet e veta, por t’i dërgojnë për botim në rubrikat e HEJZËS, e cila për redaktorë ka emra të dëshmuar në krijimtarinë letrare shqiptare. Poetë të rinj, prozatorë, eseistë të rinj, le t’i dërgojnë krijimet e veta, sepse në momentin kur do të botohen në këtë hapësirë kulturore elektronike, do të fitojnë vetëbesimin se janë në rrugë të mbarë. Kjo do t’ju ndihmojë shumë, kurse HEJZA do të përfitojë satisfaksionin e kontributit në kalitjen e krijuesve të rinj që një ditë do të zënë vend në letërsinë shqiptare!
HEJZA mëton që shumë shpejt të dalë në opinion edhe si portal, si revistë e parë kulturore elektronike ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të dalë edhe si shtëpi botuese me redaksi të veçantë për botimet e para të krijuesve të rinj. /HEJZA/

Leave a Reply