Shkruan: Shaban AZIRI /
Jemi në prag të një nate të madhe ku kemi rastin ta festojmë përvjetorin e kësaj nate shumë me rëndësi historike, e kjo është nata e Israsë (udhëtimit fluturimthi të Muhamedit prej xhamisë së Mekes në xhaminë e Aksasë), dhe të Mi’raxhit (ngjitja e Muhamedit në sferat më të larta qiellore ku i pa mrekullitë hyjnore dhe bukuritë e Zotit.)
Lidhur me këtë ngjarje i Lartëmadhëruari në kaptinën, El-Isra, thotë:
“Qoftë Lavdëruar Lartëmadhëria e Atij që robin e vet e kaloi në një pjesë të natës prej xhamisë së Haremit e deri në xhaminë e Aksasë, rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar (ia bëm këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet dhe mrekullitë tona…”.
Israja dhe Mi’raxhi janë dy ngjarje të cilat Muhamedi a.s. i përjetoi brenda një nate.
e para, siç kuptohet nga vetë verset i lartëcituar kur’anor, ka të bëjë me udhëtimin horizontal të Muhamedit brenda një pjese të natës prej xhamisë së Haremit në Mekë e deri në xhaminë e Aksasë në Kudus (Palestinë) dhe,
e dyta, me ngritjen vertikale të Muhamedit prej xhamisë së Aksasë drejt sferave qiellore, pra deri në Sidrej Munteha.
Israja dhe Mi’raxhi në gjuhën e sotme do të thotë: “Ftesa që iu bë Muhamedit që të prezentojë para Lartëmadhërisë së Allahut, ku iu bë e mundur ti përjetojë dhe ti shohë disa nga argumentet e Krijuesit, të shohë gjëra e ngjarje përmes të cilave manifestohet fuqia e Zotit, që të vërtetohet Pejgamberi alejhiselam se Allahu interesohet për të dhe se ai gëzon dashurinë dhe simpatinë e të Plotëfuqishmit, se besimtarët janë nën mbikqyrjen e Tij edhe pse ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme, se nderin dhe respektin që ia bëri Allahu Muhamedit a.s. me këtë udhëtim nuk e kishte gëzuar dhe përjetuar askush para dhe pas tij, se Allahu është në anën e tij dhe se nuk do ta lë atë në duart e kundërshtarëve të tij të mllefosur. Të gjitha këto nënkuptohen edhe nga verseti kur’anor në kaptinën En Nexhëm ku thuhet: “Pa mrekullitë më madhështore të Zotit të vet…”.
Kjo ngjarje, Israja dhe Mi’raxhi, ndodhi në natën e 27 të muajit Rexhep, një vit para migrimit, natë e hënë në të cilën ndodhi lindja, shpërngulja dhe vdekja e Muhamedit a.s.
• Israja dhe Mi’raxhi kthesë historike
Me ketë ngjarje Allahu të dërguarit të Tij dhe besimtarëve ua hapi dyert e një jete dhe të një kaptine të re. Muhamedi si qenie më e zgjedhur u thirr që të jetë mysafir i Allahut, që të shohë nurin e Tij, që në zemrën dhe shpirtin e tij të akumulojë fuqi e cila do ta ndihmojë dhe do ta bëj të pathyeshëm para sprovave të cilat do të pasonin gjatë misionit pejgamberik. Muhamedi alejhiselam me këtë udhëtim me një farë mënyre bëri lidhshmërinë e xhamisë së Haremit në Mekë me xhaminë e Aksasë në Jerusalem dhe këta të dyja me Sidrejn Muntehanë vend që gjendet në sferat më të larta qiellore, pra bëri lidhshmërinë e tokës me qiellin. Në këtë lidhshmëri fshihen shumë madhështi dhe urtësi të mëdha. Takimi i Muhamedit a.s. në xhaminë e Aksasë me pejgamberët tjerë ku edhe doli Imam i tyre në namaz, nxjerr në shesh vlerat e Muhamedit dhe mirënjohjen që ia bënë pejgamberët e mëparshëm Muhamedit.
Israja dhe Mi’raxhi ishin zgjatje e dorës së mëshirës dhe dashurisë të t’Madhit Zot ndaj Muhamedit mu në çastet më të nevojshme. Kjo mrekulli ndodhi në rrethanat kur idhujtarët mekas Muhamedit dhe besimtarëve u shpallën izolim ekonomik dhe shoqërorë. Në këtë situatë tejet të vështirë, Allahu Fuqiplotë e ftoi Muhamedin që të jetë mysafir i Tij dhe që të vërtetohet se Allahu interesohet për të dhe se ai gëzon respektin dhe simpatinë më të madhe te Allahu dhe se e gjithë ajo që po ndodhë është vetëm një sprovë për të dhe besimtarët.“Ne do t’ju sprovojmë derisa të dijmë t’i dallojmë luftëtarët nga mesi i juaj dhe durimtarët, madje do t’i vëmë në sprovë edhe lajmet tuaja”. (Kaptina Muhamed,verseti: 31).
Kuptimi tjetër i Israsë dhe Mi’raxhit mund të jetë edhe ajo siç thotë edhe vetë Kur’ani, pastrimi i radhave të muslimanëve: “… ata të cilët kanë besuar u shtohet besimi dhe gëzohen”. ( Kaptina Et Tevbe, verseti: 124).
Ky pastrim dhe konsolidim në radhët e besimtarëve ishte më se i domosdoshëm për periudhën që do të vijonte, ngase më vonë pasuan migrimi hixhreti) i Muhamedit a.s. prej Meke në Medinë i cili konsiderohet flijimi më i madh i besimtarëve si kolektivitet. Pastaj vazhdon me periudhën e luftës së shenjtë dhe e cila përfundon me triumf.
• Mënyra e udhëtimit të Pejgamberit
Dilemat dhe diskutimet rreth mënyrës së udhëtimit të Muhamedit me rastin e Israsë dhe të Mi’raxhit, se a ishte udhëtimi i Muhamedit prej Meke deri në në xhaminë Aksasë, dhe prej aty mbi të gjitha qiellnat deri në “Sidretul Munteha” me trup e me shpirtë duke qenë i zgjuar dhe me vetëdije të plotë, apo duke qenë në gjumë, janë të panevojshme dhe të pavend. Në shumë raste harrohet e vërteta kryesore: “Fuqia, pushteti dhe vullneti i Allahut Fuqiplotë”. Allahu është Ai i Cili krijoi ligje në natyrë dhe është i Vetmi që mund t’i ndryshoj ato. Fuqia e Tij është më e madhe se forca e gravitacionit e të ngjashme.
Konteksti kur’anor “Lavdëruar qoftë Ai i Cili e shetiti robin e Tij në një pjesë të natës” në të cilin bëhet fjalë mbi lavdërimin dhe madhërimin e Zotit të udhëzon në madhështinë dhe domethënien e vetë ngjarjes. Andaj nuk ka vend që ëndrrës t’i kushtohet një rëndësi e tillë. Duke u nisur nga kjo, duhet ta kemi të qartë dhe të besojmë pa kurrfarë luhatje se Muhamedi kësaj ngjarjeje iu nënshtrua me trup dhe me shpirtë, duke qenë i zgjuar dhe me vetëdije të plotë, e jo në gjumë apo në ëndërr.
Fjala “rob”, paraqet sintezën e trupit dhe shpirtit, prandaj, thënia: “… e kaloi robin e vet”, në mënyrë të pakontestueshme shkon në favor të vërtetës se Israja dhe Mi’raxhi u bë me shpirt dhe me trup. Po të ishte udhëtimi i Pejgamberit vetëm me shpirtë, atëherë, Allahu në versetin e lartëpërmendur duhej të shprehej kështu: “Qoftë madhëruar Ai i Cili e barti shpirtin e robit të Tij”.
Pikëpamjet dhe dilemat se si ka ndodhur Mi’raxhi, vetëm me shpirt apo me shpirt dhe me trup, ka nxitur shumë shkencëtarë për ta zgjedhur sekretin – e me këtë ta forcojnë islamin. Ata të cilët iu qasën kësaj çështje për ta vërtetuar mendjemadhësinë e tyre shkencore dhe “autoritetin”, nuk dhanë ndonjë kontribut të dobishëm.
Dijetarët e egzoteristë, ithatarët se kjo mrekulli ka ndodhur me shpirt dhe trup, janë të mendimit se duhet përmabjtur tekstit të Kur’anit dhe hadithit dhe se kuptimi letrarë ofron garanca më të mëdha për ta kuptuar çështjen e Mi’raxhit dhe është siguri e mjaftueshme për besimin.
Kurse dijetarët ezoteristë, ithtarët e qëndrimit se Mi’raxhi është bërë vetëm me shpirtë, përparësi i japin logjikës dhe se kuptimi i Israsë dhe Mi’raxhit nuk është ajo që e ofron forma e jashtme e tekstit.
Dallimet mes këtyre dy grupeve të dijetarëve nuk meritojnë as vëmendje as shqetësim. Ithtarët e qëndrimit se kjo mrekulli është realizuar me shpirtë dhe me trup, janë në një terren të sigurt, por, nuk duhet kritikuar edhe ezoteristët dhe nuk duhet kualifikuar si pabesimtarë ose mëkatarë.
Besimtari i vërtetë, me shënimin e kësaj ngjarjeje, i qetësohet shpirti, i forcohet besimi, sepse veprues i kësaj mrekullie ishte Allahu Fuqiplotë. Është kënaqësi të jetosh në përjetimin e ngjarjes së Israsë dhe Miraxhit, atë natë kur mëshira e Allahut mbuloi me dritë zemrën dhe shpirtin e Muhamedit a.s. dhe të të gjithë besimtarëve, atë natë kur Allahu e bëri obligim faljen e pesë kohëve të namazit. Pra, nëse dëshirojmë ta ndjekim Muhamedin a.s. në rrugë për në Mi’raxh, të jemi pjesëmarrës në këtë mrekulli, atëherë, me përkushtim duhet ta zbatojmë faljen e namazit. Muhamedi a.s. thotë: “Namazi është Mi’raxhi i besimtarit”.
U kthye Muhamedi a.s. prej Mi’raxhit duke sjellë dhuratën e Zotit për besimtarët: Mi’raxhin e përditshëm – namazin, shpërblimin e dhjetëfishtë për veprat e mira dhe falje të mëkateve për ata të cilët sinqerisht pendohen. Në këtë shtrihet domethënia e amshueshme e Miraxhit dhe Israsë.