Fati i Shaqir Fetait si i Isa Mustafës

A ju kujtohet LDK-ja e kohës së Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova? Ju kujtohet edhe koha e pasardhësit të tij, Fatmir Sejdiu! Me njëmijëenjë intriga LDK-në e pushtoi udbashi Isa Mustafa dhe, sot, LDK-në e solli në Partinë më të papërfillshme! Nuk është mendimi plural, nuk është as lufta korrekte për pushtet, nuk janë as konkurrencat lojale apo jolojale e subjekteve të ndryshëm, por, janë intrigat e poshtra ato që mund ta rrënojnë një subjekt, qoftë ai politik apo fetar

Shkruan Nijazi Fetahaj

Kur nisi t’ju dalë boja e humanitetit Institucioneve fetare që janë të thirrura, mbi të gjitha, edhe për humanitet, në skenë dolën filantropë e humanistë të ndryshëm, si Halil Kastrati, Elvis Naçi, Marin Mema, “Kalliri i Mirësisë” etj.
Ose, kur Lëvizja “Vetëvendosja” u aktivizua si subjekt politik, nuk pat parti në vend, nuk pat subjekt kombëtar e ndërkombëtar që nuk e kritikuan, që nuk bënin lloj-lloj propagande kundër kësaj Lëvizje dhe liderit të saj, Albin Kurtit, si për një parti ekstremiste, terroriste, të rrezikshme, antiamerikane, antiperëndimore e çka jo tjetër! Me durim, me urtësi, me mençuri e me shpalosje të së vërtetës, në fund, ja ku jemi – Vetëvendsja strehë kombëtare! Fitore historike! Isa Mustafa, ky humbësi më i madh, si në aspekt moral po ashtu edhe në aspekt politik, sot po përfundon, madje as në margjinat e faqeve të historisë por, në kosh!
Ku ishte dikur Bashkësia Fetare Islame e RMV-së, dikur dhe tash e gjashtëqind vite! Kush i priu këtij Institucioni më të vjetër dhe, deri dje, të vetëm fetar islam! Figura markante të kombit e të fesë! Figura që arritën ta bartin brezë pas brezi këtë Institucion, deri sa nuk na e instaloi pushteti maqedonas Shaqir Fetain! Poshtrimi i këtij Institucioni nisi pasi e dëbuan me xhelozi e me intriga ish-sekretarin e përgjithshëm, Hafëz Afrim ef. Tahirin! Një prej intrigantëve paska qenë edhe Shaqir Fetai!
Ka pasur shumë “figura” që kanë qenë në lojë për t’u instaluar nga pushtetet e ndryshme, por që, asnjëri nuk e ka pasur guximin, sepse, këtë guxim ua ka ndrydhur e kaluara e tyre si bashkëpunëtorë të UDB-së, apo të shërbimeve të mbretërisë serbe. Këtë guxim e pati vetëm Shaqir Fetai – prej një askush të katapultohet në “reis” me ndihmën e pushtetit aktual maqedonas, pavarësisht biografisë së vet shumë të diskutueshme.
Si kurrë më parë, sot myslimanët e vendit nuk dëshirojnë të dëgjojnë për BFI-në! Në ndeja, nëpër çajtore, nëpër oda, nëpër kafe, nëpër mektebe, në taksi, në shëtitore, kudo që të jeshë, flitet vetëm për turpet e BFI-së si dhe për të bëmat antiislame të Shaqir Fetait.
Shaqir Fetai e ka frikë rrjedhën e xhematit! Nuk i intereson shterrja e burimeve financiare që mbahen nga xhemati, frikë e ka rrjedhën e tyre, tretjen, zhdukjen, kalimin e xhematit në subjekt tjetër!
Kalimet nga subjekti në subjekt tjetër bëhen si rrjedhojë e zhgënjimeve, janë pasojë e mosdurimit të intrigave, të vjedhjeve, të sjelljeve autoritare, të qëndrimeve demagogjike, të prodhimeve të intrigave e të mllaçitjes së hipokrizisë!
E keni parë se çfarë tmerri e ka zënë Shaqir Fetain nga regjistrimi i një “bashkësie fetare” të re, Bashkësia Islame Selefiste “Dar el Hadith”, me seli në Shkup?! Çfarë rreziku i paraqet kjo bashkësi? Pse kaq i tmerruar Shaqir Fetai! Pse, këtë trishtim nuk e shpreh, bie fjala për “bashkësinë islame” të Kumanovës, me në krye Sadulla Bajrami! Asnjë fjalë për këtë “bashkësi”, e cila është me xhemat të vet, me xhami të vet, me “organet” e veta! Pse i tmerrhet Shaqir Fetai “Dar el Hadith-it”!
Pasi u zbërthye tërë hajnia e Mustafa Dautit në “Hilal”, pasi po zbërthehet epshi për “topërllak” i “kryetarit”, Fadil Ramadani, të emëruar nga Shaqir Fetai, uzurpatori i BFI-së, le të dëshmojë me dokument Shaqir Fetai se, sa para humanitare kanë hyrë nga myslimanët tanë në xhirollogarinë e “Hilalit”?! Pse ka rënie të fitrit dhe zeqatit si dhe të kontributeve të tjera fetare? Jo se ka rënë numri i myslimanëve, jo se myslimanët pranojnë që mos t’i kryejnë obligimet fetare por, thjesht, ato obligime (në financa) i kanë orientuar kah organizatat dhe individët humanitar që raportojë cent për cent se kah po shkojnë lekët e tyre.
Le të dalë Shaqir Fetai e lë t’i mbledhë nga myslimanët e tërë botës, një milion euro, sa ka mbledhur gazetari Marin Mema në xhirollogarinë e vet, për t’i ndihmuar ata që pësuan nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri! Shaqir Fetai hafëz, “hoxhë”, “profesor”, “myfti”, “reis”, me çallmën më të madhe se kapuçi i “dedomrazit”, brenda një muaji nuk do të mund të mblidhte as 0,001 për qind të buxhetit që e mblodhi një gazetar i thjeshtë televiziv! Kjo për faktin se ai është dëshmuar si kombëtar e me zemër të bardhë, ndërsa Shaqir Fetai nuk do të mund ta heqë kurrë nga vetja etiketën e të arriturit në pozitën e reisul ulemasë me intriga nga më të poshtrat dhe me ndihmën e pushtetit maqedonas! Sa për përgatitje dhe aftësi, ai nuk e meriton as pozitën e muteveliut!
Nuk mbahet uniteti me diktat! Shaqir Fetai mendon se duke i përdorur veglat e shtetit mund ta shlyej nga regjistri Bashkësinë Islame Selefiste “Dar el Hadith”, i cili është regjistruar fare në mënyrë të rregullt, pa kurrfarë intrige! Po Shaqir Fetai që na dilte i regjistruar herë si “ushtrues detyre” e herë si “reis”?! “Dar el Hadith-i” nuk shkeli asnjë procedurë ligjore, nuk manipuloi as një organ, thjesht u paraqit me bordin e vet themelues, me Statutin e vet si dhe me Programin e veprimtarisë si bashkësi fetare islame!
Pas veprimeve të Shaqir Fetait, krejt bota e di që nuk ka më “Bashkësi Fetare Islame”, por ka një objekt i cili, si grmadhë dëshmon se këtu, dikur e një herë, ka funksionuar i vetmi institucion fetar islam. Prandaj, kërcen përpjetë Shaqir Fetai sikur të jetë ulur në ndonjë zharan! Atij nuk i pengon “bashkësia” tashmë e dëshmuar si jokombëtare e Sadulla Bajramit, të cilin ish-reisi Sulejman ef. Rexhepi e quante “monstër”! Shaqir Fetai duhet të dalë publikisht dhe të na tregojë se, pse ajo “bashkësi” në Kumanovë nuk i pengon por i pengon kjo “bashkësia” pralele në Shkup!
Po druaj se Bashkësisë Fetare Islame, dikur e vetme, do t’i ndodhë si LDK-së së Isa Mustafës! Populli nuk ha bar, nuk e duron padrejtësinë, nuk e stimulon hajninë, nuk e ushqen piraterin dhe grabitjen, por, lakmon gjithjë pas së mirës dhe pas së drejtës! Atje ku do të jetë e mira dhe e drejta, atje do të rrjedhë! 90 për qind e popullatës së Kosovës ishin me LDK-në, pastaj kjo përqindje e kësaj popullote do të ndahet në PDK e në AAK, por edhe te NISMA! Sot, këto parti rrezikojnë të zhduken, sepse popullata po e do angazhimin kundër korrupsionit, kundër nepotizmit, kundër kapjes së shtetit, kunër vjedhjeve, kundër krimit e mashtrimit, kundër intrigës e shitjes së atdheut, dhe këto vlera po i gjenë ekskluzivisht te Vetëvendosja dhe te Albin Kurti.
Shaqir Fetai po ndjenë se gjendet në po të njëjtat sprova ku u gjendën liderët tashmë opozitarë të Kosovës! Prandaj, po mundohet të ndërmarrë masa, prandaj po mundohet ta paraqesë “bashkësinë islame” individ si rrezik potencial për shtetin! A nuk është Shaqir Fetai rrezik për shtetin, i cili është i rrethuar me kriminelë, i cili joshet në shkelje kushtetutare, i cili përkrahet në shkatërrimin e organeve dhe të BFI-së, por, i rrezikshëm na qenka vetëm një individ, i cili, haptazi shpreh mosbesim në këtë Bashkësi Islame të Shaqir Fetait, dhe që kërkon të lihet i qetë që të praktikojë atë islam që e kanë praktikuar pasuesit e Muhamedit s.a. dhe jo pasuesit e Shaqir Fetait.
Institucionet shtetërore duhet të kenë kujdes dhe mos të manipulohen nga intrigat e Shaqir Fetait, të mos përzihen në organet e gjyqësorit, sepse, këta nuk janë të pamend, nuk janë objekt talljeje për Shaqir Fetain, ato organe, dinë çka regjistrojnë, i njohin ligjet, dinë të lexojnë Statut, dijnë të lexojnë Programe! Kur ata dallojnë dhe binden se gjithçka është në rregull, ç’ka këtu të përzihet Shaqir Fetai dhe mentori i tij Zoran Zaev! Vetë populli do të vlerësojë se kush është më i mirë dhe më i devotshëm: Shaqir Fetai që vjen nga nëntoka serbo-maqedonase, apo Xhemal Jakupi që, fundja, ka qenë medresant i “Isa Beut”, ku dikur na paska ligjëruar “prof” Shaqir Fetai.
Shaqir Fetai nuk ka se çka e kërkon ndihmën e organeve shtetërore si dhe të pushtetit maqedonas për t’ia eliminuar konkurrencën në lidership! Këtë le ta bëjë me punë e me devotshmëri, është vetë popullata që duhet të bindet. Deri më sot, populli mysliman nuk ka përjetuar asnjë grabitje, asnjë ofendim, asnjë poshtrim, asnjë fyerje të Institucionit të BFI-së, nga Xhemal Jakupi, ndërsa thellësisht është i turpëruar nga Shaqir Fetai. Kjo është e vërteta, i dogji dikujt apo jo! Siç është i vërtetë edhe fakti se, kur mundet të funksionojë një BFI e Shaqir Fetait i cili është absolutisht ilegal dhe ilegjitim, pse të mos mundet të funksionojë një bashkësi fetare e Xhemal Jakupit i cili, nga bordi i vet është zgjedhur legalisht dhe në mënyrë statutare! Veprimtaria e tij është “zero”, të tjera “bashkësi” janë dëshmuar se e meritojnë dryrin e popullit!
Prandaj edhe janë dorëheqjet! Prandaj edhe dorëhiqet “në mënyrë të kullturuar” Isa Mustafa, duke u bërë shembull i patejkalueshëm edhe për Shaqir Fetain, sepse, e pret po ky fat i Isa Mustafës.

Leave a Reply