“BE të vendosë si prioritet integrimin e gjithë rajonit”
“Më shumë prezencë të Italisë në Ballkan” dhe “përshpejtim të procesit të integrimit europian për të gjithë rajonin”. Janë këto prioritetet e shpallura nga qeveria italiane në një konferencë të mbajtur në Trieste ku ishin të pranishëm ambasadorë, përfaqësues të institucioneve dhe botës së biznesit. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE bëhet më i rëndësishëm se kurrë pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Ishte i rëndësishëm rikonfirmimi i angazhimit të Bashkimit Evropian gjatë takimit të mbajtur në 6 dhjetor në Tiranë për të mbështetur rajonin me masa konkrete. Megjithatë, ne nuk mund të ndalemi vetëm në masat ekonomike. Është urgjente që Bashkimi Evropian të zhvillojë një vizion të ri ndaj këtij rajoni dhe të vendosë zgjerimin në Ballkanin Perëndimor ndër prioritetet e tij”.
Ndërsa për Ministrin e Jashtëm italian Antonio Tajani vuri theksin tek shtimi i prezencës italiane në rajon.
“Kjo konferencë duhet të shërbejë për të bashkuar të gjitha forcat italiane në sektorë të ndryshëm, biznes dhe politike, edhe me bekimin e BE-së, për të nisur një prani gjithnjë e më të fortë të vendit tonë në një rajon që duhet të bëhet gjithashtu pjesë e tregut europian”.
Për ambasadorin e Italisë në vendin tonë Fabricio Bucci, Shqipëria është porta e Ballkanit.
“Qeveria shqiptare dëshiron ta bëjë Shqipërinë një Singapor të Ballkanit. Ajo dëshiron të kalojë nga call center-at në qendrat dixhitale me investime të mëdha në sferën dixhitale. Shqipëria përfaqëson urën për depërtimin e sistemit tonë në të gjithë Ballkanin”.
I pranishëm në konferencë ishte edhe Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Oliver Varhely, që përsëriti nevojën e një Ballkani Perëndimor më të sigurt për të gjithë Evropën.