Ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i Kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai këtë vendim e ka marrë pasi është ftuar për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar.
Haradinaj në fund të mbledhjes së qeverisë ka shprehur bindjen se pastërtia e luftës së UÇK-së nuk do të njolloset nga askush.
“Nderi i kryeministrit dhe shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përballë shpifësve ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë.”
I emocionuar në konferencën e jashtëzakonshme për media, Haradinaj tha se Kosovës po i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndërsa tha se ndarja është e papranueshme.
Pas kësaj dorëheqje tha se mandatin ia kthen popullit ndërsa ka kërkuar nga Presidenti t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.
Për të ky vendim, i dyti me radhë për t’u dorëhequr nga posti i Kryeministrit nuk ishte i lehtë. Ai kishte dhënë dorëheqje edhe në vitin 2005 nga posti i Kryeministrit për t’u ballafaquar me Gjykatën e Hagës, por nuk e pati prishur koalicionin qeveritar që e kishte me Lidhjen Demokratike të Kosovës./TvKlan/