Trump mund të rikthehet në detyrë në fundjavë
Presidenti amerikan, Donald Trump, mund t’i rikthehet jetës publike aktive që të shtunën. Mjekët personalë që ndjekin kurimin e tij nga Covid-19 thonë se organizmi i shefit të Shtëpisë së Bardhë ka reaguar jashtëzakonisht mirë ndaj ilaçeve anti-Covid dhe gjendja e tij ka qenë dhe vazhdon të jetë e stabilizuar.
Megjithatë përpara se t’i jepet leja për t’u rikthyer në punë, Trump duhet t’i nënshtrohet më vonë gjatë kësaj të premteje një testi anti-Covid për të vërtetuar nëse infektimi i ka kaluar plotësisht.
Presidenti Trump është shprehur më herët se mezi priste t’i rikthehej fushatës elektorale, por ai refuzoi vendimin e komisionit të debateve për ta zhvilluar me video-konferencë përballjen e radhës të 15 Tetorit me rivalin demokrat Joe Biden nga rreziku se shefi i Shtëpisë së Bardhë mund ta infektojë.
Trump u shpreh se nuk kishte ndërmend të shpërdoronte kohën e tij me debate prapa kompjuterit, por kërkonte ta kishte rivalin përballë. Ndërsa Joe Biden tha se mund të merrte pjesë në debat edhe i vetëm përballë gazetarëve.