Joe Biden ka fituar në shtetin e Georgia dhe 16 votat e saj elektorale, një fitore e jashtëzakonshme për demokratët që ka zgjeruar hartën e tyre elektorale në juglindje të vendit.
Fitorja e zotit Biden rrit epërsinë e tij në Kolegjin Zgjedhor ndaj Presidentit Donald Trump. Biden u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale më 7 nëntor pasi fitoi në Pensilvani, Michigan dhe Wisconsin, shtete të cilat Presidenti Trump i kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2016.
Biden tani ka 306 vota elektorale kundrejt 232 votave të Presidentit Trump.
Zoti Trump fitoi Georgia-n në vitin 2016, duke marrë 5 përqind më shumë vota se demokratja Hillary Clinton.
Në vitin 2020, demokratët u përqendruar shumë në këtë shtet, duke e parë atë si një mundësi për fitore, dy vjet pasi demokratja Stacey Abrams humbi ngushtë garën për guvernatore të shtetit. Të dy vendet e Senatit në Georgia kanë shkuar në balotazh, duke rritur më tej profilin politik të shtetit.
Georgia nuk kishte votuar për një kandidat demokrat për president që nga viti 1992, kur Bill Clinton u bë president i vendit./VOA