Nuk ishte protagonist në çerekfinalet e Champions League, por Carlos Tevez premton se do të karikohet për fundin e sezonit që pret Juventusin e tij, me një titull kampion në Itali që pritet të zyrtarizohet dhe me gjysmëfinalen e Champions-it në horizont, ku bardhezinjtë do të përballen me Bayern Munchen, Real Madrid ose Barcelonën.
“Jemi shumë të lumtur që arritëm në gjysmëfinale, tani na lini të shijojmë këtë moment. Deri tani, ka qenë një sezon i shkëlqyer dhe duhet ta mbyllim sa më mirë”, tha sulmuesi argjentinas për ‘Espn’.
Kur u pyet për të ardhmen e tij, Tevez tha: “Po flitet shumë kohët e fundit, por nuk ka asgjë të vërtetë. Unë mendoj vetëm t’i gëzohem këtij momenti dhe jam i përqendruar tek objektivat e Juventusit”.
Kampionët në fuqi të Italisë kaluan në fazën gjysmëfinale të Champions League pas barazimit 0-0 ndaj Monakos në Francë. Ndeshjen e parë, juventinët e kishin fituar me rezultatin 1-0.