Kamionët me ndihma nisin të hyjnë në Gazë

Kamionë me ndihma kanë hyrë në Gazë nga jugu i Izraelit të dielën, më 26 maj, përmes një marrëveshjeje të re.

Marrëveshja parasheh që të anashkalohet pikëkalimi në Rafah me Egjiptin, pasi forcat izraelite e morën nën kontroll pjesën palestineze të pikëkalimit më herët gjatë këtij muaji.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse grupet humanitare do të kenë qasje te ndihma, për shkak të luftimeve të vazhdueshme në atë zonë.

Egjipti refuzon të hapë anën e vetë të pikëkalimit në Rafah deri në kohën kur kontrolli i kufirit kah ana e Gazës t’i kthehet palestinezëve. Por, ky shtet është pajtuar që përkohësisht ndihma të dërgohet përmes pikëkalimit Kerem Shalom të Izraelit, ku gjendet terminali kryesore e mallrave të Gazës.

Marrëveshja është arritur pas një bisede telefonike që ka zhvilluar presidenti amerikan, Joe Biden, me homologun e tij egjiptian, Abdel Fattah al-Sissi.

Khaled Zayed, kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane, organizatë që merret me dërgimin e ndihmës nga Egjipti në Rafah, tha se 200 kamionë me ndihma dhe katër kamionë me karburante pritet që të dielën të hyjnë në Gazë.

Megjithatë, nuk ishte menjëherë e qartë nëse Kombet e Bashkuara arritën të merrnin ndihmën nga Gaza.

Dërgimi i ndihmës në Gazë është vështirësuar për shkak të ofensivës që Izraeli ka nisur në Rafah. Izraeli tha se do të lejojë qindra kamionë të hyjnë në Gazë, por agjencitë e Kombeve të Bashkuara thanë se ka rrezik të madh për kryerjen e këtyre operacioneve të ndihmës.

Leave a Reply