Konsultimi me biznesin e vogël, duke e parë si gjeneruesin e zhvillimit ekonomik, ishte takimi radhës konsultativ i organizuar nga kandidatja për kryetare bashkie e Partisë Socialiste, Keti Bazhdari dhe stafi i saj në kuadër të konsultimeve me grupet e interesit për përfundimin e përgatitjes së platformës elektorale.
Zonja Bazhdari e hapi takimin duke thënë se ndihet me afër se kushdo tjetër me personat që bëjnë biznes duke kujtuar edhe sakrificat në ngritjen e biznesit të vogël.
Përfaqësues nga tregu, i cili pritet të shembet, pranë stadiumit “Loro Boriçi”, shfaqën shqetësimin për 300 familjet e tregtarëve që do mbeten pa burime financiare jetese. Kandidatja për kryetare bashkie i shpjegoi përfaqësuesit të tregut se ishte në dijeni të ngërçit.
“Është një problem shqetësues ky që keni ngritur dhe do duhet që me ju të komunikojmë veçmas pasi me tregjet e veçanta kemi vendosur të realizojmë takime të veçanta . Problematikën tuaj e kemi studiuar me mendimin që duhet gjetur një mjedis për ju sa më larg tregut të shumicës dhe sa më afër qytetarit. Duhet ta studiojmë bashkë në një tjetër takim dhe të biem dakord me transparencë, pasi nuk janë vetëm 300 familje, por më tepër. Të paktën një herë në ditë e mendoj këtë çështje. Investimin e marrim përsipër ne, por duhet më parë të sigurohet mjedisi i saktë”, tha Bazhdari.
E pyetur për mënyrën e taksimit për bizneset në fshatra, në ndryshim me qytetin kandidatja për kryetare bashkie theksoi se do realizohet një studim i mirëfilltë duke marrë në konsiderate të gjithë faktorët në mënyrë që të përcaktohet një plan strategjik i veçantë për biznesin e vogël.
Bazhdari nuk nguroi të sqarojë se niveli i të ardhurave të siguruara nga Bashkia Shkodër nuk ka pësuar rritje në 10 vitet e fundit në kushtet kur edhe Lezha ka më shumë të ardhura si bashki.