KE rekomandon statusin e kandidatit për Ukrainën

Vendimi në mbledhjen e javës së ardhshme të liderëve të BE

Ukraina hedh një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen njoftoi sot vendimin e institucionit që drejton për rekomandimin e statusit të vendit kandidat për Ukrainën.

“Jo gjithçka mund të arrihet, teksa lufta gëlon në këtë vend. Por ky është një mesazh i qartë prej nesh. Po, Ukraina e meriton perspektivën europiane dhe i gjithë procesi është mbi bazën e meritës”.

Von der Leyen tha se Ukraina i ka përmbushur reformat në luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit, por sipas saj ky vend ka ende shumë për të bërë. Krahas Ukrainës, rekomandimi për statusin u dha edhe për Moldavisë, ndërsa Gjeorgjia duhej të përmbushë disa kritere shtesë.

Vendimin përfundimtar e japin liderët e vendeve të unionit në samitin e javës së ardhshme. Edhe nëse i jepet Ukraina mund ta mbajë gjatë këtë status për shkak të destabilizimit nga sulmi rus, duke u përsëritur kështu rasti i Turqisë që i janë pezulluar negociatat e nisura gati 17 vite më parë.

Leave a Reply