Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në takimin me ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati ka vlerësuar se, Shqipëria është një mike dhe partnere e fortë e NATO-s.
Ai ka vënë në dukje faktin se ajo bashkëpunon ngushtë me SHBA dhe me partnerët e tyre në një numër frontesh të ndryshme.
“Sot do të kemi kënaqësinë të nënshkruajmë marrëveshjen SHBA-Shqipëri për partneritetin strategjik, që është një përpjekje për të bashkëpunuar më plotësisht për interesin tonë të përbashkët lidhur me luftën kundër terrorizmit, për sigurinë në rajon, kundër ISIS dhe nisma të tjera”, ka thënë Kerry.
“Vitin e kaluar në Uells pata rastin të takohem me kryeministrin Edi Rama, me të cilin diskutuam për shumë nga këto probleme dhe sot ne do ta vazhdojmë këtë diskutim. Shqipëria ka ndihmuar shumë në transferimin e njerëzve të grupit të rezistencës iraniane MEK dhe në çështje të tjera. Ne e mbështesim anëtarësimin e saj në BE sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ata janë në rrugën për të bërë gjërat e nevojshme për këtë anëtarësim”, ka vijuar shefi i diplomacisë amerikane.
Ai ka shprehur vlerësimin e tij për faktin që Shqipëria ka rënë dakord të bëhet mikpritëse e takimit ministerial për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
“Kjo ka rëndësi për të gjithë, duke patur parasysh njoftimet lidhur me aktet në të cilat është angazhuar Shteti Islamik. Ne po punojmë gjithashtu në përpjekjet e përgjithshme rajonale lidhur me luftën kundër ISIS dhe bashkëpunimi i Shqipërisë si anëtare e koalicionit ka qenë absolutisht i rëndësishëm”, ka nënvizuar Kerry.
Nga ana e tij, ministri Bushati është shprehur i lumtur që ndodhet në Shtetet e Bashkuara, vend që ai e konsideroi gjithashtu një partner shumë të rëndësishëm strategjik.
“Shqipëria po shkon drejt BE falë angazhimit të vazhdueshëm të SHBA. Ne po bashkëpunojmë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit islamik dhe takimi me sekretarin Kerry synonte përmirësimin e bashkëpunimit tonë strategjik”, tha Bushati.