Këshilli i ri Kombëtar i PD/ Jashtë kritikët dhe mbështetësit e Bashës, kthehen të përjashtuarit

Sali Berisha e avancoi lëvizjen për marrjen nën kontroll të PD duke zgjedhur një Këshill të ri Kombëtarë të PD-s, me disa afrime të reja por duke lënë jashtë kritikët dhe mbështetësit e Bashës.

Lista e re Këshillit të ri Kombëtar prezantuar nga Albana Voksi,  sugjeron se tashmë kemi të bëjmë me një PD,  më të hapur duke rikthye në këshill të larguarit e Bashës siç ishin dy ish deputetët që nuk iu bindën bojkotit parlamentar. Muslim Murrizi dhe Rudina Hajdari. Kjo është vetëm një anë e medaljes.

Edvin Kulluri një zë kritik ndaj Bashës dhe Berishës  në PD , u la jashtë këshillit sikurse edhe Roland Bejko. Por Fatbardh Kadilli i vetmi zë kritik në Kuvendin Kombëtar të PD u votua për të qenë në këshill.

Lista e të zgjedhurve në Këshillin Kombëtar më shumë se sa një hapje e partisë me qëllim bashkimin duket më shumë si një lëvizje pragmatiste e Berishës i cili afron afër vetes edhe dy ish ministra dhe një ish zëvendës ministër nga koha e qeverisjes së tij.

Dy emra risi në këshill vinë nga muzika dhe mjekësia. Renis Gjoka këngëtar dhe mjeku Ilir Alimehmeti i cili me këshillat dhe studimet e tij gjatë pandemisë u bë shumë popullor.

Bardh Spahia njeriu i cili i dhuroi Berishës të vetmen fitore në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit duke marrë Bashkinë Shkodër,  nuk ka marrë votat e duhura për tu ulur në Këshillin Kombëtar. Por paraardhësja e tij Voltana Ademi ajo që ndihmojë në fitoren e Spahisë do të vijojë të jetë anëtare e këshillit.

Një parti e fortë demokratike që Berisha po projekton me rikthimin e tij nuk mund të jetë e tillë edhe pa njerëzit e medias në Këshillin Kombëtar.

Tanimë që Këshilli Kombëtar u zgjodh,  më 22 Maj do ti duhet të zgjedhë kryetarin e ri të PD pas shkarkimit nga Kuvendi Kombëtar të Enkelejd Alibeajt. Nuk priten surpriza. Sali Berisha kryetari i vjetër i PD do të rikthehet si kryetar i ri.

I vetmi kuriozitet pa shumë rëndësi mbetet se kush do të jetë  Namik Dokle i rikthimit te ri te doktorit, ne vitin 2022.

Leave a Reply