Kievi ndalon fluturimin e avionëve rusë mbi Ukrainë

Ukraina ka ndaluar fluturimet e kompanive ajrore ruse duke nisur nga 25 tetori, në vazhdën e sanksioneve të ndërmarra kundër Rusisë për shkak të mbështetjes që u ka dhënë separatistëve në rajonet lindore të saj. Lajmi konfirmohet nga qeveria e Kievit gjatë kësaj të premteje.

Kievi njoftoi javën e kaluar se do të vendoste të tjera kufizime ndaj mbi 90 kompanive apo grupe individësh, shumica nga Rusia, ku përfshiheshin edhe kompanitë ajrore Transaero dhe Aeroflot, bartës të flamurit kombëtar rus.

Duke dhënë detaje mbi këto sanksione, kryeministri ukrainas, Arseny Yatseniuk tha gjatë një takimi të kabinetit qeveritar se, “në përputhje me vendimin e marrë nga Këshilli i Sigurisë, qeveria e Ukrainës po adopton një vendim për të ndalur fluturimet e kompanive ruse, së pari të Aeroflot dhe Transaero, mbi territorin ukrainas”.

Ndërsa në faqen e internetit të qeverisë, kryeministri citohet të ketë thënë se “avionët rusë me flamurin tringjyrësh të Rusisë nuk kanë punë me aeroportet e Ukrainës”. Ai shtoi se, edhe avionët rusë, që transportojnë pajisje apo trupa ushtarakë, e kanë të ndaluar të fluturojnë mbi hapësirën ajrore ukrainase.

Autoriteti ukrainas i Aviacionit njoftoi më vonë se ndalimi do të hyjë në fuqi duke filluar nga 25 tetori.

Ukraina e akuzon Rusinë se ka dërguar armatime dhe trupa në ndihmë të separatistëve prorusë, që luftojnë kundër ushtarëve besnikë të qeverisë së Kievit në lindje të vendit, në një konflikt që ka vrarë afro 8 mijë persona që prej prillit të vitit 2014. Por Rusia e mohon diçka të tillë.

Leave a Reply