Kievi vendos kushte për negociatat me Rusinë

Thirrje për rivendosjen e integritetit territorial dhe kompensime për dëmet e luftës

Nga Tirana direkt në Kiev. Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield u takua në Kiev me presidentin ukrainas Volodymir Zelensky për të shprehur mbështetjen e palëkundur të Uashingtonit.

Fokusi kryesor tani përveç sigurimit të armatimit të nevojshëm është furnizimi me energji pas dëmeve që kanë shkaktuar sulmet ruse ndaj infrastrukturës së Ukrainës.

Gjatë takimit me ambasadoren Thomas-Greenfield, presidenti Zelenskiy bëri thirrje për zgjatjen e marrëveshjes së eksportit të grurit. Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara në korrik, skadon më 19 Nëntor.

“Me afrimin e dimrit, jemi shumë të fokusuar në nevojat energjetike të Ukrainës. Rusia vazhdon të sulmojë infrastrukturën energjetike, por ne refuzojmë t’i lëmë ukrainasit të ngrijnë ose të vdesin nga uria për shkak të luftës brutale, të panevojshme, të paligjshme dhe çnjerëzore të Rusisë”,  tha Linda Thomas-Greenfield,  ambasadorja e  SHBA-së në OKB

Vizita e ambasadores Thomas-Greenfield vjen edhe në sfondin e presionit amerikan ndaj Kievit për të treguar gatishmëri për bisedimet e paqes me Rusinë. Vetë Ukraina mohoi se është nën presion dhe presidenti Volodymyr Zelenskiy renditi ato që ai i quajti “kushte plotësisht të kuptueshme” për bisedimet e paqes.

 “Edhe një herë, rivendosja e integritetit territorial, respektimi i Kartës së OKB-së, kompensimi për të gjitha dëmet e shkaktuara nga lufta, dënimi i çdo krimineli lufte dhe garanci që kjo nuk do të ndodhë më”tha Volodymyr Zelenskiy, President i Ukrainës

Ukraina përjashton bisedimet me Putinin. Një përgjigje erdhi edhe nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov përsëriti qëndrimin se Moska është e hapur për bisedime.

Në front, forcat ukrainase vijojnë përparimin drejt Khersonit, ndërkohë që Rusia po rigrupohet për të mbrojtur zonat e pushtuara. Beteja e radhës e madhe po afrohet, ajo do të vendosë se kush do të kontrollojë bregun perëndimor të lumit Dnipro, i cili përfshin qytetin Kherson, i vetmi kryeqytet rajonal që Rusia pushtoi në shkurt.

Në zona të tjera Rusia po përgatit linja të reja të fortifikuara, thellë brenda territorit që kontrollon “për të parandaluar çdo përparim të shpejtë ukrainas”. Blloqe të mëdha betoni po vendosen rreth qytetit Mariupol.

Prej kohësh Rusia është në pozita mbrojtëse dhe ditët e fundit janë raportuar humbje të mëdha në fontin e lindjes. Ato u zbuluan pasi ushtarët shpërndanë një letër të hapur kundër gjeneralëve të tyre. Bëhet fjalë për vdekjen e rreth 300 forcave elitë ruse në katër ditë si pasojë e llogaritjeve të gabuara.

Rritja e presionit publik, e detyroi ministrin rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu të vizitojë qendrën e Përbashkët komanduese operacionale. Komandanti i Forcës së Përbashkët Operacionale, gjenerali Sergei Surovikin e informoi Shoigun për situatën në terren, misionet e kryera në zonat operative dhe veprimet e forcës ukrainase, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.

Leave a Reply