Ndër masat e saj të fundit si kundërpërgjigje të vendimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kina ka ndaluar diplomatët amerikanë të vendosur në rajonin gjysmë autonom të Hong Kongut të kërkojnë drejtpërdrejt takime me zyrtarë ose politikanë të qytetit, raporton Anadolu Agency (AA).
Diplomatëve amerikanë tani u kërkohet të kërkojnë miratimin nga Ministria e Jashtme e Kinës përpara se të takohen me ndonjë zyrtar të Hong Kongut, njoftoi e përditshmja “South China Morning Post”.
Sipas urdhrit zyrtar kinez, diplomatët amerikanë do të kërkojnë miratimin për çdo takim zyrtar, privat, shoqëror apo përmes videos, si dhe takime me “çdo organizatë ose shoqëri arsimore publike ose private kineze dhe personelin e saj”.
Zhvillimi i ri u bë publik pasi udhëheqësit të Partisë Liberale pro-biznesit të Hong Kongut, Felix Chung Kwok-pan, iu tha se Konsulli i Përgjithshëm amerikan në qytet kërkon të marrë leje për ta takuar. I dërguari amerikan kishte kërkuar një takim me Felix.
Në fillim të këtij muaji, Felix u thirr nga zyra e Ministrisë së Jashtme të Kinës në qytet, ku i thanë se nuk ishte “koha e përshtatshme për të që të takonte diplomatin e lartë të SHBA-së”.
Kina ka kërkuar që konsulli i përgjithshëm i SHBA në Hong Kong, “pasardhësit e tij, ose ndonjë personel që punon në emër të tij, së pari duhet të marrë aprovimin nga Zyra e Komisionerit të Ministrisë së Jashtme Kineze në Hong Kong para se të vizitojë ndonjë nga strukturat e qeverisë lokale kineze ose të takojë dikë nga këto institucione”.
Masa kineze shihet si një hakmarrje ndaj hapave të SHBA-së që kufizojnë veprimtaritë e diplomatëve kinezë në SHBA.Në fillim të këtij muaji, Departamenti amerikan i Shtetit e bëri të detyrueshme që diplomatët kinezë të kërkojnë miratim përpara se të vizitojnë ndonjë kampus universitar në SHBA ose të mbajnë ngjarje kulturore me më shumë se 50 persona jashtë ambasadës.
“Ne thjesht po kërkojmë reciprocitet. Aksesi për diplomatët tanë në Kinë duhet të reflektojë qasjen që kanë diplomatët kinezë në Shtetet e Bashkuara dhe hapat e sotëm do të na çojnë thelbësisht në atë drejtim”, pati deklaruar asokohe Sekretari amerikan i Shtetit Mike, Pompeo, duke pretenduar se Pekini vendosi kufizime për diplomatët amerikanë në Kinë.
Deri në vitin 1997, Hong Kongu ishte një koloni britanike. Aktualisht, ai mbetet një territor kinez gjysmë autonom.
Kina zbatoi një ligj të diskutueshëm të sigurisë kombëtare në korrik, duke shkaktuar kritika nga vendet perëndimore.