“Fuqitë e mëdha shkaktare të luftës”

 Erdogan i fajëson pasi nuk ndërmorën masa për caktimin e kufijve

Në Kaukaz duket se po nis një tjetër front lufte. Turqia, e cila mbështet Azerbajxhanin në përplasjen me Armeninë, akuzoi fuqitë e mëdha si shkaktare të kësaj situate, duke mos zgjidhur çështjen mes dy vendeve.

“Fuqitë e mëdha nuk zgjidhin situatën, por pyesin a ka forca turke në zonë. Kanë 30 vite që na kërkojnë vetëm llogari. Thanë që do ta zgjidhnin dhe nuk do ta zgjasnin çështjen. Të kujt janë ato toka që janë të pushtuara? Patjetër që janë të Azerbajxhanit. Këtë e pranoni të gjithë. E pranoni edhe Nagorni Karabakun. Mbi 1 milionë banorë të rajonit tani janë në Azerbajxhan ndërsa aty qëndrojnë pushtuesit. Askush nuk kërkon llogari për këtë. Por ka ardhur koha për të dhënë llogari dhe Azerbajxhani është i detyruar ta zgjidhë vetë situatën”.

Erdogan u ndal edhe te tensioni në Mesdhe. Sipas tij, nuk do të ketë paqe në rajon nëse nuk rishikohen hartat.

“Nuk ka paqe në Mesdhe nëse të tjerët nuk llogarisnin Turqinë dhe Qipron Turke. Të gjithë duhet ta shikojnë dhe ta pranojnë të vërtetën që nuk mund të ketë paqe në Mesdhe me harta pa lidhje dhe që kanë qëllime kolonizuese. Nëse ju sillni në tavolinë harta të bëra në Perëndim, edhe ne do t’i kërkojmë Universitetit të Stambollit që të vizatojë një hartë, dhe do ta vendosim në tryezë. Kjo nuk është diçka e vështirë”.

Teksa ftoi Greqinë në dialog, nuk shfaqi ndonjë tërheqje të mundshme të Turqisë nga Mesdheu.

“Ne jemi shtet i Mesdheut. Nuk jemi mysafirë, por zot shtëpie. Ekzistojmë me rrënjë të thella në Mesdhe. Ne do i dalim për zot asaj që na kanë lënë pasuri të parët. Me dobësimin e Perandorisë Osmane në zonë erdhën kolonizuesit. Imperialistët gjetën mundësinë për të jetësuar planet e tyre. Mentaliteti i Perëndimit është armiku i civilizimit tonë. Edhe ata që na dalin kundër në Mesdhe, janë trashëgimtar të këtij mentaliteti”.

Leave a Reply