Kisha Ortodokse e Shqipërisë, me anë të një njoftimi zyrtar për shtyp të publikuar në faqen e internetit, e konsideroi prishjen e kishës në Dhërmi si një “veprim në shkelje flagrante të ligjit”.
“Ky veprim është në shkelje flagrante të Ligjit nr. 10057, 22.01.2009, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, Neni 21/1,2: “Ndërtesat dhe objektet që shërbejnë për kryerjen e ceremonive fetare konsiderohen të shenjta nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Ndërhyrja e autoriteteve shtetërore në to është e ndaluar, me përjashtim të rasteve të flagrancës, kur një gjë e tillë kërkohet në zbatim të një urdhëri të prokurorisë, të një vendimi gjyqësor ose titulli ekzekutiv, ose në rast të kanosjes së një rreziku të afërm. 2. Paprekshmëria e hapësirës publike garantohet nga Shteti. Shteti mbron objektet dhe vendet e caktuara fetare, në përputhje me Ligjin.” Ndërhyrja u bë pa as një njoftim zyrtar ose informal si dhe u shpërfillën klerikët tanë, përfaqësuesit arkieratik Protopresviter Atë Pandeli Mitru, Atë Efthim Bixhili, Atë Athanas Qerimi, të cilët kërkuan shpjegime për një ndërhyrje të tillë nga organet vendore”, lexohet në njoftimin e kishës.