Koha për kundërkulturë

Midis nesh

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësimi i këtij shteti kanë qenë pjesëmarrës në qeverisjen e vendit. Në sferën e kulturës kanë udhëhequr edhe nën titullin e ministrit, sekretarit shtetëror, pastaj ka pasur shef kabineti, këshilltarë e deri te drejtues të sektorëve të caktuar! Përkundër këtij fakti, mjerisht, duhet të konstatohet se kultura shqiptarëve u jep trajtë, porse ajo nuk i përbën ata, sepse vetë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut bëjnë shumë pak kulturë; sepse, as përpjekjet minimale nuk i kanë bërë që një ditë të shkëputen nga ajo kulturë subalterne, të shpërthejnë dhe të pavarësohen nga kultura mbizotëruese.
Struktura të caktuara akademike të Maqedonis së Veriut me të madhe punojnë që të krijohen perceptime “reale” që një ditë, kur do t’i ftojnë dhe kur do të arrijë antropologë e studiues kulturorë të huaj në këtë nënqiell, të konstatojnë fare lehtë se këtu ekziston një kulturë mbisunduese brenda së cilës mund të gjenden elementë të një kulture vartëse, zakonisht të pakicave të cilët nuk ia kanë dalë të formojnë ndërgjegjen e tyre si kulturë, ndaj dhe në këtë rrafsh, asnjëherë nuk ia kanë dalë të ushtrojnë autonomi, por gjithnjë të varen nga kultura e “shumicës absolute”!
Veç kësaj, të kota kanë qenë angazhimet partiake që të përfitojnë nga marrëveshjet për koalicionime qeveritare, duke ua lënë dikasterin e kulturës ta drejtojnë shqiptarët, ose në këtë dikaster shqiptarët të kenë poste të rëndësishme “autonome”! Këta funksionarë shqiptarë vetëm sa kanë zbatuar strategjitë nacionale afatmesme e afatgjata, të hartuara kthinave të akademisë (serbo-)maqedonase e të miratuara nëpër qeveri e kuvende maqedonase, me shqiptarë gjithnjë të nënshtruar e të mbivotuar!
Pra, shqiptarët kanë drejtuar me një ministri me kuadër tërësisht të papërshtatshëm, të papërgatitur dhe pa direktiva kombëtare bazuar në strategjitë dhe programet kombëtare të hartuara nëpër “akademitë politike” shqiptare!
Në Maqedoninë e Veriu, për shkak të diletantizmit dhe të mosnjohjeve elementare të substancave që përbëjnë kulturën si koncept, duke ushtruar politikë të dhunshme dhe etiketuese (kundër “seperatistëve”) është lejuar të nxjerrë syth “torzoja” e një nënkulture, me qëllim që të hapen horizontet e dominimit të një kulture hegjemoniste. Buxheti krijohet për jetën kulturore maqedonase dhe nga ai buxhet mund të marrin 20% edhe shqiptarët për kulturën e tyre të llojit nënkulurë!
Dhe, përderisa kjo nënkulturë e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut zhvillohet në kuadër të zhvillimit kulturor të “pakicave margjinale”, ajo në mënyrë të përkryer bashkëjeton me kulturën hegjemoniste dhe fare nuk e sfidon këtë rend të vendosur, madje edhe naivisht futet në garë me kulturën që imponohet si “kulturë shtetërore” hegjemoniste. Prandaj, kemi mburrje naive të tipit: ia dolëm të kemi në botim libra sa maqedonasit, ia dolëm të sigurojmë projekte sa maqedonasit, ndërkohë që bëhet fjalë vetëm për 20 për qind projekte kulturore shqiptare.
Tani, për t’i thyer të gjitha këto teza antropologjike të pavarura, për t’i zbythur të gjitha përpjekjet nacionaliste për një “mashtrim optik” në rrafshin e kulturës, shqiptarëve, subjekteve dhe faktorëve politik, shkencor, akademik etj. u duhet që të angazhohen për një situatë ku do të lindë kundërkultura shqiptare, që do ta sfidojë kulturën hegjemoniste maqedonase. Pra, ta njohë, ta përkrahë, madje me gjithë respektin ta afirmojë kulturën maqedonase, por ama është koha që të ndërgjegjësohen dhe të këmbëngulin për zhvillimin kulturor paralel me kulturën maqedonase brenda të njëjtit shtet të përbashkët!
Ky terren nuk do të mund të krijohej vetëm me krijues, artistë, me personalitete nga bota e kulturës. Kjo elitë, nën këto konstelacione politike, nuk do të mund të vinte në shprehje pa ndërgjegjësimin kulturor të biznesit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Në Oden Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore do të duhet të funksionojë edhe sektori akademik kulturor, i cili do të përcaktonte se çka është kulturë, çka është medium, çka është argëtim e çka zbavitje dhe, pas kësaj, do të dihej se çka do të duhej të përkrahej financiarisht, do të profilizoheshin botuesit, teatrot, institucionit e artit klasike, festivalet nacionale. Kjo fuqi financiare do të bënte presion edhe në rrafshin politik – krijimi i institucioneve kulturore kombëtare, përfshirja sa më e gjerë e krijuesve dhe artistëve shqiptarë në buxhetet vjetore, përfshirja sa më e gjerë e veprave të tyre në programin vjetor nacional, të ofrohet zgjidhje racionale edhe për problemet kulturore shqiptare në strategjitë afatmesme nacionale!
Natyrisht, të gjitha përpjekjet për përhapje të paradigmave dhe sistemeve të reja të vlerave, nuk vijnë nga “mirëkuptimet” politike koalicioniste, por ekskluzivisht nga proceset e zhgënjimit, nga të kuptuarit e padrejtësive kulturore dhe nga rezistenca. /HEJZA/

Leave a Reply