Komisioni i Rithemelimit: Basha po vendos dyer të blinduara

“Nuk ka hekur dhe shul të mbajë peng vullnetin e demokratëve”

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka reaguar pas ndryshimeve që po bëhen në selinë e PD-së, ku janë vendosur dyer të blinduara në ambientet e brendshme dhe janë fortifikuar dritaret.

Në një reagim për mediat, Komisioni i Rithemelimit thotë se Basha ka vendosur ta kthejë selinë e demokratëve “në bunkerin e vetmisë”.

Por sipas Komisionit të Rithemelimit, nuk do të lejohet që asnjë veprim i tillë të ndalojë vullnetin e anëtarëve.

“Deputeti Lulzim Brava e nisi Vitin e Ri me avazin e vjetër të izolimit. Pasi izoloi veten nga 4446 delegatë dhe 43.385 anëtarë që firmosën shkarkimin e tij ai ka vendosur në prag të protestës paqësore të demokratëve ta kthejë shtëpinë e tyre në bunkerin e vetmisë dhe pazareve te tij. Kështu, në një akt turpi dhe paniku të denjë vetëm për një apartcik të marrë peng, ai ndërron brava dhe po vendos dyer të blinduara për të shndërruar shtëpinë e demokratëve, selinë e Partisë Demokratike, në bunkerin e tij privat.

Me këtë rast i kujtojmë Lulzim Bravës që mendon se me dyer dhe brava do të mposhtë shumicën dhe pluralizmin në Shqipëri se ata që shembën regjimin më gjakatar në ’90 nuk do të lejojnë kurrë asnjë derë brave, hekur apo shul të mbajë peng vullnetin e tyre të shprehur përmes votës së lirë.

Partia Demokratike ka lindur si shtëpi e lirisë dhe e tillë do të vijojë të mbetet, kurse Lulzim Pengu së bashku me pengmarrësin e tij do kenë fatin e atyre që bunkerizuan Shqipërinë”, thuhet në njoftimin e Komisionit të Rithemelimit.

Komisioni i Rithemelimit i ngritur nga Kuvendi i 11 Dhjetorit i ish-Kryeministrit Sali Berisha i ka lënë afat deri më 5 Janar Lulzim Bashës që të dalë nga zyra pas shkarkimit me referendum nga anëtarësia. Në të kundërt, Sali Berisha ka paralajmëruar dy javë më parë se më datë 8 Janar do të ketë protestë dhe demokratët do të marrin selinë e PD.

Leave a Reply