Një nga ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, tha të mërkurën mbrëma se Dhomat e Specializuara me seli në Hagë i kanë konfirmuar një aktakuzë dhe të enjten do të udhëtojë për atje.
Zoti Selimi, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, shkroi në llogarinë e tij në facebook se në orët e mbrëmjes është njoftuar për aktakuzën.
“Prandaj, po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash. Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka”, shkroi zoti Selimi.
Prokuroria e Specializuar nuk ka bërë të ditur ndonjë njoftim për këtë aktakuzë e cila u bë publike nga zoti Selimi pas kohë pasi që kjo prokurori arrestoi ish zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.