Kontrollet për eksport të vaksinave jashtë BE-së nuk vlejnë për Ballkanin

Në kushtet e mungesës së theksuar të vaksinave dhe problemeve me kompanitë prodhuese, Komisoni Europian ka vendosur një mekanizëm transparence për eksportet e vaksinave jashtë BE.

Kjo do të thotë se tashmë, eksportet në vendet e treta do ti nënshtrohen një autorizimi nga shtetet anëtare. Presidentja Ursula von der Leyen deklaroi se ky mekanizëm i transparencës dhe autorizimit është i përkohshëm, ndërsa nuk do të mungojë ndihma ndaj vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Kjo skemë vlen deri në muajin mars vetëm për eksportet nga kompanitë me të cilat BE ka përfunduar marrëveshjet paraprake të blerjes.

Ndërkohë, mbrëmjen e së premtes, komisioni europian i dha dritën jeshile vaksinës së tretë të autorizuar në bllok, asaj të kompanisë anglo-suedeze, Astrazeneca. Më herët, Agjencia Europiane e Barnave dorëzoi një rekomandim pozitiv shkencor bazuar në një vlerësim të plotë të sigurisë, efektivitetit dhe cilësisë së produktit.

“Me vaksinën AstraZeneca tani të autorizuar, 400 milion doza shtesë do të jenë në dispozicion në Europë. Unë pres që kompania të japë këto doza siç është rënë dakord, në mënyrë që Europianët të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur.”-shkroi në twitter shefja e Komisionit Europian.

Vaksina AstraZeneca do t’u jepet të rriturve të moshës 18 vjeç e lart, në dy injeksione.

Sipas kontratës së nënshkruar me Komisionin Europian në 27 Gusht 2020, AstraZeneca do të shpërndajë shumën totale prej 400 milion dozash përgjatë vitit 2021. Mbetet për tu parë nëse kompania do ti tejkalojë problemet me prodhimin për të zbatuar kushtet e marrëveshjes.

Leave a Reply