Koreja e Veriut lëshon raketa balistike gjersa Blinken viziton Seulin

Lansimet e fundit të raketave të Koresë së Veriut vijnë ndërsa Koreja e Jugut po pret një samit ndërkombëtar mbi demokracinë.

Koreja e Veriut lëshoi raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në det të hënën për herë të parë në dy muaj, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vizitoi Seulin për një konferencë të organizuar nga Presidenti Yoon Suk Yeol mbi avancimin e demokracisë.

Ushtria e Koresë së Jugut tha se disa raketa me rreze të shkurtër fluturuan rreth 300 kilometra pasi u gjuajtën midis orës 7:44 dhe 8:22 të mëngjesit (2244-2322 GMT të hënën) nga Pheniani, kryeqyteti i Veriut, duke zbritur në bregun lindor.

Jugu dënoi këtë akt duke konsideruar si një “provokim të qartë” dhe tha se po ndante informacione mbi to me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë.

Ministria e Mbrojtjes e Japonisë tha se tre raketa u lëshuan dhe udhëtuan rreth 350 kilometra , me një lartësi maksimale prej 50 km.

Kryeministri japonez Fumio Kishida dënoi lëshimet pasi roja bregdetare e vendit të tij raportoi gjithashtu gjuajtjen e asaj që tha se dukej të ishte një raketë balistike dhe specifikoi se ajo kishte përfunduar tashmë fluturimin e saj.

Japonia më vonë tha se kishte zbuluar atë që dukej të ishte një lëshim i dytë i raketës balistike nga Veriu dhe se të dyja ranë jashtë zonës së saj ekskluzive ekonomike, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

“Seria e veprimeve të Koresë së Veriut kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit tonë dhe komunitetit ndërkombëtar dhe janë absolutisht të papranueshme,” tha Kishida, duke e quajtur nisjen një shkelje të rezolutave të OKB-së.

Ushtria e Koresë së Veriut ka kryer stërvitje duke përdorur armë konvencionale javët e fundit, shpesh të mbikëqyrura personalisht nga udhëheqësi i shtetit të izoluar, Kim Jong Un.

Leave a Reply