Kosova hap kufirin me Shqipërinë

Tre ditë nisjes së detyrës, qeveria e re e Kosovës vendos të rikthejë lëvizjen e lirë në kufirin me Shqipërinë. Me rekomandimin e Ministrit të Shëndetësisë, kabineti i Avdullah Hotit miratoi hapjen e kufirit mes dy vendeve duke nisur nga e hëna e 8 qershorit.

“Qytetarët, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës nuk do t’i nënshtrohen masës së vetëizolimit shtëpiak 7 ditor. MSH do të mundësojë liri të plotë të lëvizjes së qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave, në veçanti në pikat më të frekuentuara kufitare me të cilat kufizohet Republika e Kosovës”.

Vendimi është i vonuar pasi qeveria shqiptare hapi kufijtë me Kosovën dhe vendet fqinjë që më 1 Qershor. Edhe pse përgjegjësia për këtë vonesë është e qeverisë pararendëse të Albin Kurtit, zv/kryeministrja Albulena Balaj Halimaj kërkoi ndjesë.

“Në emër të qeverisë së Kosovës t’u kërkojmë falje qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, për shkak se ata kanë qenë tepër të irrituar, ndërkohë që kanë parë se kufiri me Serbinë ka qenë i hapur ndërsa me Shqipërinë jo”.

Sipas rregullores së Ministrisë së Shëndetësisë, personat që hyjnë në Kosovë përmes pikave kufitare, duhet t’i nënshtrohen kontrollit të temperaturës dhe të dhënave për simptoma të mundshme të Covid-19. Ata duhet t’u japin autoriteteve kufitare numrin e telefonit dhe adresën ku do të qëndrojnë në Kosovë. Ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi propozoi nisjen e konsultimeve për rikthimin e fluturimeve.

Leave a Reply