Deputetët e Komisionit parlamentar për Zhvillimin Ekonomik, Infrastrukturën, Tregtinë dhe Industrinë në Kosovë kanë shprehur shqetësime për barrierat, që – sipas tyre, – po u bën Shqipëria transportuesve kosovarë.
Deputetët i paraqitën ankesat para ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, nga e cila kërkuan, që ajo të merret me shqetësimet e transportuesve.
Deputetët Besim Beqaj dhe Fatmir Rexhepi thanë se, transportuesit marrin gjoba absurde për karburantin me të cilin lëvizin dhe paguajnë 22 euro, një tarifë skanimi doganor, për një skaner të Doganës në pjesën e Shqipërisë, i cili sipas tyre as nuk funksionon.
“Me anë të një takse të re, e cila nuk e di a është taksë me kuptimin e plotë të fjalës, kanë bërë një kufizim për transportuesit. Kur ata hyjnë në territorin e Shqipërisë duhet të kenë jo më shumë se 200 litra naftë. Ata mund ta kontrollojnë sasinë, por jo të bëjnë penalizime të tilla. Për momentin, ka penalizime të ndërmarrjeve tona. Ndëshkimet tona shkojnë deri në 1000 euro për një tejkalim të kësaj sasie deri në 200 litra, ndaj dhe besoj se kjo është diçka, që ju duhet ta trajtoni”, tha Besim Beqaj, deputet.
“Nuk është hera e parë që kemi zhvilluar takime. Kemi mbajtur takime pompoziteti në Prizren, në Kala, e gjithkund tjetër me ministra e kryeministra, por punë ende nuk kemi bërë. Pra, thjesht kemi bërë një mashtrim optik për qytetarët e vendit, sidomos për ekonominë, por me të kaluar të nesërmen kemi nxjerrë edhe më shumë barriera”, tha Fatmir Rexhepi, deputet.
Këto shqetësime dhe të tjera, u tha se do të paraqiten edhe në Tiranë, në takimet e radhës të këtij komisioni parlamentar.
“Ne do të shkojmë në datën 16 nëntor atje dhe, ju lutem, të gjitha këto çështje konkrete ne do t’i bisedojmë edhe në nivel qeveritar, edhe në nivel parlamentar. Do të shohim nëse jemi ne, që duhet t’i heqim këto barriera, apo t’i zgjerojmë ato. Unë mendoj se ekziston edhe atje gatishmëria për t’i hequr barrierat në nivele qeveritare dhe në nivel parlamentar, por problemi është ai që iu thashë, se atje ka lobe të fuqishme të importit. Edhe atje, edhe këtu. Nuk është vetëm atje”, tha Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit.
Duke iu përgjigjur deputetëve në shqetësimet e tyre për pengesat e transportuesve në Shqipëri, ministrja e Tregtisë, Hykmete Bajrami tha se kanë vendosur që këto çështje, për shkak të raportit të afërt me Shqipërinë, mos t’i paraqesin në CEFTA por t’i zgjidhin në takime dypalëshe.
“Çështja e rezervuarëve shtesë është ngritur nga kompani të ndryshme dhe jemi marrë me të. Kemi shkruar letra për atë dhe për çështjen e skanerit gjithashtu. Për çështjen e skanerit kemi marrë një përgjigje, ku thuhej se i është dhënë me koncesion një kompanie për një periudhë 25-vjeçare, kështu që edhe ata janë duke menduar sesi ta zgjidhin këtë problem”, tha Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë.
Deputetët e Komisionit parlamentar për Zhvillimin Ekonomik thanë gjatë mbledhjes se, do t’u kërkojnë llogari edhe ministrave të tjerë, për të parë sesa janë zbatuar marrëveshjet me Shqipërinë në fushën e ekonomisë.