Kosovë, deputetët e opozitës bllokojnë seancën parlamentare

Deputetët e partive opozitare në Kosovë kanë bllokuar sërish punën e Kuvendit, duke detyruar kryeparlamentarin Kadri Veseli, që të ndërpresë seancën plenare.

Pavarësisht kërkesave të kryeparlamentarit, që opozita t’i shprehte pakënaqësitë brenda sallës së Kuvendit, deputetët e opozitës thanë se nuk do të lejojnë punën e Kuvendit, derisa kryeministri Isa Mustafa të tërheqë nënshkrimin nga marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë.

Në shenjë pakënaqësie, deputetët e koalicionit nuk lejuan përfaqësuesit opozitarë t’i paraqesin kërkesat nga foltorja e bllokuar e kryeparlamentarit.

“Le ta shohë vetë populli se kë ka zgjedhur, si na ka zgjedhur dhe le të gjykojnë secilin prej nesh. Realisht nuk është mirë, sepse po mbyllet një institucion, për të cilin 99 për qind e deputetëve këtu, nga pozita dhe opozita, kanë luftuar dhe kanë derdhur gjak”, tha Kadri Veseli.

Pas bllokimit të punës së Kuvendit, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca paralajmëroi se veprimet e ardhshme të opozitës do të jenë demonstratat nëpër rrugë, ndërsa kryeparlamentari ftoi sërish opozitën të kthehet në institucione.

“Unë pres një përshkallëzim të pakënaqësisë së qytetarëve. Tash jemi në fazën e peticionit. Qindra e mijëra qytetarë janë duke hedhur firmat e tyre. Me siguri, bashkë me firmën e tyre do të jetë edhe gatishmëria për t’i thënë një ‘Jo’ të fuqishme kësaj ‘Zajednice’ të komunave serbe. Tashmë, meqenëse edhe pas bllokimit të Kuvendit qeveria nuk po lëshon pe, kurse Isa Mustafa po thotë se nuk do ta tërheqë nënshkrimin, atëherë ne presim një shprehje të pakënaqësisë së popullit nëpër rrugë dhe nëpër hapësira publike, përmes protestave dhe demonstratave, të cilat me siguri do t’i organizojë fronti i përbashkët opozitar”, tha Glauk Konjufca, VV.

“Ky është vendi, ku dëgjohen më së miri dhe në mënyrën më dinjitoze të gjitha kërkesat dhe qëllimet politike të palëve. Megjithatë, demokracia jonë është parlamentare, jemi sistem demokratik dhe secili ka të drejtën e rrugëzgjedhjes së tij. Por nuk është rrugë e mirë, që sot të dalim në rrugë”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit.

Kryeparlamentari Veseli tha se, gjatë ditëve në vijim do të përdorë të gjitha mundësitë e mundshme, që të diskutojë me përfaqësuesit e partive politike për të gjetur një marrëveshje, që të gjitha shqetësimet dhe diskutimet t’i zhvillojnë brenda institucioneve të vendit.

Leave a Reply