Këto tre forca politike, në bazë të një marrëveshjeje të arritur në limitet e afateve të përcaktura nga KQZ-ja, kanë vendosur të garojnë bashkë në procesin elektoral të 11 Qershorit, ndërsa duke thyer çdo parashikim, ndonëse lista do të udhëhiqet nga Kadri Veseli, kandidati për Kryeminsitër, do të jetë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Sipas akordit, në listën e përbashkët të kandidatëve për deputetë, 50% e përfaqësuesve do të jenë nga PDK-ja, ndërsa 50% do të jenë nga NISMA dhe AAK.
Gjithashtu, Partia Demokratike e Kosovës, pritet të marrë kontrollin e shumicës së dikastereve qeveritare, gjithmonë nëse koalicioni do të jetë i suksesshëm.
Ndërkaq, LDK-ja e Isa Mustafës, ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me AKR-në e Behgjet Pacollit. Në rast se do të drejtojnë një fushatë të suksesshme, Lidhja Demokratike e Kosovës do të duhet të ndajë me AKR-në, postin e Kryetarit të Parlamentit, ndërkohë që në marrëveshje përfshihet gjithashtu zgjedhje e Pacollit President, pas përfundimit të mandatit të Thaçit. Përvcse me AKR-në, LDK ka arritur marrëveshje edhe me parti të tjera më të vogla të cilat nuk kanë një peshë domethënëse elektorale. Sikurse u bë e ditur më herët, kandidati për Kryeministër nga ky grupim do të jetë Avdulla Hoti.
E vetme në garë do të përfaqësohet Lëvizja Vetvendosje. Kjo forcë politike nuk ka arritur marrëveshje me asnjë parti tjetër. Eksponentë të VV-së, përmes deklaratave të ndryshme, kanë dënuar në një farë mënyrë bashkëpunimin mes PDK-së AAK-së dhe NISMA-së, me argumentin se dy ish-partitë opozitare kanë tradhëtuar kauzat për të cilat luftuan në vitet e fundit.